LAJMI I FUNDIT

Ekuadori u shpall luftë karteleve të drogës

Shteti i Ekuadorit u ka shpallur luftë bandave kriminale një ditë pasi u sulmua televizioni publik i shtetit latin.

Persona të armatosur kanë hyrë në televizionin TC gjatë transmetimit direkt, duke shtrirë për tokë stafin.

Policia ka arrestuar 13 persona gjatë operacionit për të kthyer normalitetin në televizionin shtetëror.

“Kur kanë hyrë, na kërkuan që të jemi në transmetim. Na fyen, por ishim të sigurt. Një kameraman është plagosur dhe një tjetrit ia kanë thyer krahun. Kanë përdorur armët gjatë transmetimit”, ka thënë gazetari Jorge Rendon.

Të paktën 10 persona janë vrarë që prej të hënës kur shteti shpalli gjendje emergjente të hënën kur u konfirmua se nga burgu kishte ikur një gangster famëkeq.

Nuk është e qartë nëse incidenti në studion televizive kishte lidhje me zhdukjen e liderit të bandës Choneros, Adolfo Macias Villamar.

Presidenti Noboa ka thënë se ka mobilizuar forcat e armatosura për shkak të konfliktit të armatosur brenda Ekuadorit.

“Kam dhënë urdhra të qartë për policinë dhe ushtrinë që të intervenojnë për të kthyer kontrollin në burgje. Kam nënshkruar dekretin me qëllim që forcat e armatosura të kenë përkrahjen politike dhe ligjore për aksionet e tyre”, ka thënë Noboa.

Për shkak të konfliktit në Ekuador, Peruja fqinje ka urdhëruar angazhimin e forcave policore në kufi për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

SHBA-ja ka dënuar sulmet ndaj shtetit të Ekuadorit dhe ka deklaruar se është duke u koordinuar me presidentin ekuadorian, të cilit i kanë ofruar asistencë.

Ekuadori është përfshirë në dhunë për shkak të luftimeve mes karteleve të drogës në lidhje me kontrollin e rrugëve të kokainës drejt SHBA-së dhe Evropës.