EKSKLUZIVE: Dorëheqjet i japin fund mandateve të katër kryetarëve serbë dhe ligjërisht janë definitive
Qeveria e Kosovës deri më sot as nuk i kishte komentuar dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave serbe në veriun e Kosovës.
Kryeministrit i vendit, Ramush Haradinaj, sot tha se këto dorëheqje nuk janë definitive dhe se janë duke u shqyrtuar.
“Dorëheqjet janë e drejtë e kryetarëve dhe e të zgjedhurve. Nuk e di a kualifikohen këto dorëheqje. Ato dorëheqje nuk janë ende definitive, jemi duke i shqyrtuar”, tha Haradinaj.
Por, bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, mandati i kryetarit të komunës përfundon ashtu siç është përcaktuar me nenin 56, pika c “mandati i Kryetarit të Komunës përfundon nëse jep dorëheqje”, dhe nuk ka kthim prapa, përkundër që ata mund t’i bien pishman.
Edhe sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, mandati i Kryetarit të Komunës, përfundon sipas kushteve të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, raporton Ballkani.info.
Neni 11 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale përcakton shprehimisht se mandati i Kryetarit të Komunës përfundon në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, në këtë rast, referenca ligjore është neni 56, pika c.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, me rastin e përfundimit të mandatit të kryetarit, presidenti shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, ashtu siç parashihet me nenin 11.2.
Megjithatë, që kjo punë nuk ka më kthim prapa edhe atëherë kur të dorëhequrit i bien pishman, dëshmon edhe rasti i ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Qeska.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin “KO 80/10 – Kërkesa e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, për sqarim të kompetencave në rastin e Kryetarit të Rahovecit, z. Qazim Qeska”, ka përcaktuar saktë se akti i dorëheqjes konsiderohet përfundim i mandatit të kryetarit të komunës.
Sqarim: Lidhur me pyetjen e parashtruar të presidentit Sejdiu, e cila thotë: “Cili institucion i Republikës së Kosovës është përgjegjës për të vlerësuar efektshmërinë dhe validitetin e dorëheqjes dhe për të konstatuar përfundimin eventual të mandatit të kryetarit të një komune, në bazë të një komunikate drejtuar qytetareve… “, gjykata vëren se “në pajtim me Kushtetutën dhe me Nenin 8 të Kartës, Ligji për Vetëqeverisjen Lokale nuk i fuqizon organet e qeverisë qendrore për të ndërmarrë masa për pranimin e dorëheqjes së kryetarit të komunës”.
Rrjedhimisht, gjykata unanimisht kishte vendosur se “dorëheqja e cilitdo kryetar komune është përfundimtare dhe definitive dhe i jep fund mandatit të kryetarit të komunës, si dhe pasojat kushtetuese të veprimit të tillë janë shpallja e zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës së Kosovës, për të siguruar që qytetarët gëzojnë të drejtën për zgjedhje të lira dhe të barabarta në themelimin e vetëqeverisjes së tyre lokale”, transmeton Ballkani.info.
Sipas praktikës së deritashme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal adreson shkresë zyrtare tek presidenti, për ta informuar lidhur me përfundimin e mandatit të Kryetarit të Komunës p.sh. kemi rastin e organizimit të zgjedhjeve lokale për Komunën e Mitrovicës Veriore, atëherë kur kryetari i zgjedhur nuk kishte dhënë betimin brenda 30 ditëve, si dhe rastin e përfundimit të mandatit të Kryetarit të Komunës së Drenasit, kur mandati i Kryetarit të Komunës kishte përfunduar me vendim të formës së prerë për veprën penale me dënim mbi gjashtë muaj në vitin 2016.
Në frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, organet qendrore nuk rezervojnë të drejtën për të kërkuar që dorëheqja e një kryetari të deponohet në ndonjë organ qendror, prandaj sipas aktgjykimit, dorëheqja e kryetarit, në çfarëdo forme që është dhënë, konsiderohet si akt i përfundimit të mandatit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në mandatin e vet të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sipas nenit 4.4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, në rast të shkarkimit të kryetarit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh tek Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti, jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes.
Zgjedhjet e Parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë ditë pas shpërbërjes.
Por, para caktimit të ditës së zgjedhjeve për kryetarët e rinj të komunave serbe në veriun e Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet ta njoftojë zyrtarisht Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili brenda 10 ditëve (pasi të kalojë afati 5 ditor i ankesës në Gjykatën Kushtetuese), shpallë zgjedhjet jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë.
Krejt çfarë mund të shpresojnë liderët e koalicionit qeverisës është afati 5 ditorë për ankimim në Gjykatën Kushtetuese, përndryshe nuk ka fare se çfarë të shqyrtohet tjetër rreth dorëheqjeve të katër kryetarëve serbë të komunave veriore të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas Ligjit të Zgjedhjeve Lokale, duhet t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për organizimin e zgjedhjeve. /Ballkani.info/