Edhe Zvicra deklarohet kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti

Ambasada e Zvicrës në Kosovë i ka kërkuar koalicionit qeverisës të vendit që t’i kapërcejnë mosmarërveshjet e brendshme dhe të ndërtojnë besimin në mënyrë që, siç thuhet në një deklaratë të kësaj Ambasade, “të vazhdojnë me zbatimin e planit të qeverisë dhe të jetësojnë atë për të cilën janë zgjedhur”.

“Ne i dënojmë të gjitha përpjekjet për ta përdorur pandeminë e virusit Korona për ta rrëzuar Qeverinë e Ligjshme dhe u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë të ndihmojnë në lehtësimin e situatës”, thekson komunikata e publikuar nga Ambasada zvicerane në Kosovë.

Në këtë deklaratë, Ambasada kujton se si Zvicra ishte një ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe thekson se dy vendet gëzojnë lidhje të ngushta me njëra-tjetrën prej dekadash.

Kjo lidhje, sipas Ambasadës, është krijuar në kohën kur shumë njerëz nga Kosova jetën shtëpinë e dytë në Zvicër “gjatë viteve të tmerrshme të luftës”.

Thotë po ashtu se që nga viti 1998, Konfederata Zvicerane është angazhuar vazhdimisht në të gjitha fushat për të ndërtuar një ekonomi më të fortë, për të përmirësuar infrastrukturën, sundimin e ligjit, institucionet funksionale të mirëqena dhe një situatë stabile të sigurisë në Kosovë.

“Zvicra ndihet fuqimisht e përkushtuar në miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës dhe njerëzit e saj”, thekson më tej.

“Sot bota gjendet nën kontrollin e virusit Corona. Situata në Republikën e Kosovës është serioze gjithashtu. Si në shumë vende, qeveria ka ndërmarrë masa drastike për ta ulur ndjeshëm përhapjen e virusit dhe për të kursyer jetë. Zvicra lavdëron vendosmërinë dhe kompetencat e demonstruara nga qeveria deri më tani. Siç po kërkohet në tërë botën, udhëheqësit duhet të tregojnë unitet tani ashtu që t’i mbrojnë njerëzit në mënyrë efikase”, potencon Ambasada e Zvicrës në Kosovë, në thirrjen e saj drejtuar politikanëve.