Edhe rektori Dema s’është keq financiarisht – ja çfarë pasurie ka deklaruar

Në mesin e zyrtarëve që ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit është edhe Rektori i Universitetin të Prishtinës, Marjan Dema. Shtëpi, banesa, tokë e lokal janë pasuritë e paluajtshme që ai posedon. Përveç tyre, Dema ka edhe rreth 50 mijë euro “cash” në bankat e vendit.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, i pari i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi që e ka trashëguar, e që thotë se kushton 50 mijë euro.

Dema ka edhe dy banesa që kushtojnë mbi 100 mijë euro, një tokë në vlerë 55 mijë euro, dhe dy lokale që sipas tij vlejnë rreth 57 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar veturën e tij dhe të bashkëshortes. Njëra është e llojit Mercedes 250 dhe tjetra Lexus, derisa vlera e tyre bashkë sillet rreth 6 mijë euro.

Detyrime financiare nuk ka, por Rektori Dema me mijëra euro para të gatshme në banka.

Rreth 50 mijë euro është shuma e parave “cash” që ka deklaruar ai.

Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 40 mijë euro, të cilat para ai i merr si Rektor në UP, nga qiraja e lokalit, honorar nga Universiteti i Pejës dhe mëditjet dhe udhëtimet zyrtare jashtë vendit.