Edhe qyteti i Pejës kundër lojrave të fatit

Dy vrasjet e fundit të cilët ndodhën brenda pak ditëve në dy kazino, njëra në Suharekë e tjetra në Lipjan, ka bërë që Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, të nisë një peticion në këtë komunë për shfuqizimin e ligjit për lojrat e fatit, ku dje gjatë ditës në Suharekë janë mbledhur 4000 nënshkrime në peticionin kundër lojërave të fatit.

Përkrahje kësaj iniciative i ka dhënë edhe Komuna e Pejës.

Ballkani.info ka kontaktuar me shefin e kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti, i cili tha se komuna e Pejës i është bashkangjitur kësaj iniciative.

Ai tha se Peja do të marrë iniciativë jo në mbylljen e lojërave të fatit por në pamundësin e veprimtarisë së tyre.

“Kryetari Gazmend Muhaxheri do ta përkrahë iniciativën e kryetarit Muharremaj nga Suhareka, në harmonizimin me legjislacionin e Republikës së Kosovës. Nuk kemi statistika sa i përket se sa biznese të lojërave të fatit janë të hapura në Pejë, për shkak se nuk jemi kompetent të flasim për këtë pjesë pasi që është departameni i veçant që monitoron këtë gjë dhe ky departament është në Ministrinë e Financave. Peja do të marrë iniciativë jo në mbylljen e lojrave të fatit por në pamundësin e hapjes së tyre sepse ato i përgjigjen një niveli tjetër dhe janë të rregulluara me ligj të veçant të cilin e implementon Ministria e Financave. Ne së bashku me inspekcionin do t’iu dalim në ndihmë dhe do të iu ndihmojmë në këtë drejtim do të mundohemi të ia pamundësojmë veprimtarinë e tyre në gjithë komunën e Pejës”, ka thënë Sheremeti.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme është thirrur edhe seanca e jashtëzakonshme rreth mbylljes së bizneseve të lojrave të fatit dhe kazinove, iniciativë kjo që është mbështetur edhe nga kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj. /Ballkani.info