Ilire Kozhani

Edhe një ‘’Loredanë” tjetër: Shqiptarja mashtron çiftin zviceran duke i marr 250 mijë euro

Ilire Kozhani, shqiptare nga Kosova e cila jeton në Zvicër, dyshohet se i ka marr qindra mijëra euro një çifti zviceran, duke manipuluar me ta. Sipas çiftit që thonë se janë palë e dëmtuar, ajo është një mashtruese profesioniste, e cila shtiret si mjeke, falsifikon dokumente dhe u merr para shumë njerëzve. Por, cila është lidhja mes saj dhe Loredanës, këngëtares që ka histori të ngjashme mashtrimi në Zvicër? Gazeta Online ‘Reporteri.net’ sjellë detaje ekskluzive të kësaj historie mashtrimi e zhvatje parash. 

Gerald dhe Jolanda Schwarz janë një çift nga Zvicra të cilët thonë se i dhanë 250 mijë euro kosovares Ilire Kozhanit, e cila sipas tyre është një mashtruese profesioniste, që shtiret si një mjeke.

Çifti thonë se Kozhani ka qenë fqinja e tyre e parë dhe se i kanë dhënë 250 mijë euro me që e njëjta sipas tyre, falsifikonte dokumente dhe shtirej si mjeke. Ata i kanë besuar asaj. Por në fund, gjithçka doli të jetë mashtrim.

Gerald Schwarz tregon historinë se si i kanë besuar shqiptares nga Kosova, e cila siç thotë ai, i ka mashtruar meqë është profesioniste në këtë fushë.

“Ishte fqinja jonë e parë. Ajo aktronte që ishte mjeke dhe tha se punonte në spital në Schaffhausen. Ajo ka dhe të gjitha pajisjet mjekësore (pantallona dhe xhaketë) dhe gjithçka tjetër që duhet në çantën e një doktori. Por ajo nuk është mjeke”, rrëfen burri zviceran.

Për t’i bindur dhe më shumë, çifti thotë se Kozhani kishte falsifikuar edhe dokumente.

“Po ashtu ajo më tregoi të gjitha dokumentet (kontrata e punës nga spitali në Schaffhausen, fletëpagesat, etj.) dhe dukej se gjithçka ishin në rregull. Por doli që të gjitha dokumentet ishin të falsifikuara”, vazhdon rrëfimi i Gerald Schwarz.

Por, duket sikur pretendimet e saj që është mjeke nuk i kishte ndalur vetëm në letra. Burri zviceran thotë se Kozhani kishte ndihmuar njëherë gruan e tij me një problem që kishte në këmbë.

“Ajo madje e ndihmoi dhe trajtoi gruan time një herë për një problem që kishte në këmbë”.

Por, si arriti ajo që t’i bind dhe tua marr 250 mijë euro zvicerane?

Gerald tregon që pas hulumtimeve me avokatin e tij, ka gjetur shumë mashtrime të Ilire Kozhanit. Ai thotë që Kozhani u ka prezantuar edhe kontratën e blerjes së shtëpisë në Kosovë, të cilën u ka thënë se do ta shes për tua kthyer paratë.

“Ajo më tregoi kontratat e blerjes atje ku ka një shtëpi në Kosovë (Lipjan) të cilën dëshironte ta shiste për të mi kthyer paratë”, tha zvicerani.

Mashtrim, falsifikim dhe prostitucion

Burri që thotë se u mashtrua, tregon që sa më shumë ka hulumtuar për Ilire Kozhanin, aq më shumë mashtrime ka gjetur.

“Unë dhe avokati im kemi hulumtuar për muaj të tërë. Sa më shumë që kemi hetuar, aq më shumë mashtrime kemi zbuluar. Mashtrim në sigurime, prostitucion, telefonata false etj”, thotë ai.

Sipas tij, mbiemri i saj është Kozhani, por i kishte përmendur që do ta ndërroj mbiemrin në Krasniqi.

“Unë e di që vazhdon të pretendojë se është mjeke nga Cyrihu dhe se po mashtron njerëzit përsëri. Ajo ndërton gënjeshtra dhe pretendon se ka pasuri. Ajo përdor emrat e politikanëve, mjekëve dhe biznesmenëve për të arritur qëllimin e saj. Ajo u kërkoi praktikisht të gjithëve para: miqve, fqinjëve, politikanëve, bashkatdhetarëve të saj këtu në Zvicër. Por më duhet të them se numri i rasteve të pa raportuara është ndoshta shumë më i lartë (pas konsultimit me policinë)”, rrëfen Gerald Schwarz.

Sipas burrit zviceran, kontakti i tyre i fundit ka qenë në tetor të 2019 dhe ajo tash jeton në Biel.

“Me duket se jeton në Biel, por nuk jam plotësisht i sigurt. Kontakti ynë i fundit ka qenë në tetor të vitit të kaluar. Kemi qenë në kontakt përmes avokatëve tonë. Ajo ka premtuar gjithmonë se do të paguaj diçka, por kjo nuk ka ndodhur”.

Gerald thotë se e ka paditur dhe se seancat gjyqësore ende nuk kanë përfunduar.

“E kam paditur, por rasti ende nuk ka përfunduar. Ajo është duke pritur ende formën e prerë të vendimit/denimin nga gjykata”.

Lidhja mes Ilire Kozhanit dhe Loredana Zefit

Historia e Ilire Kozhanit ka ngjashmëri me atë të këngëtares Loredana Zefi. Kjo e fundit kishte mashtruar gjithashtu një çifti zviceran. Madje, Ilire Kozhani dhe Loredana Zefi kishin angazhuar avokatin e njëjtë në rastet e tyre në Zvicër.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, por edhe atyre në Zvicër, Loredana ishte arrestuar në maj të vitit 2019 për shkak që u kishte marr një çifti zviceran 900 mijë franga.

Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar të gjitha palët e përmendura, përfshirë këtu edhe avokatin zviceran të Loredanës.

Fillimisht u kontaktua direkt lire Kozhani, po ajo udhëzoi që për rastin në fjalë të bisedohet me avokatin e saj.

“Ju lutem kontaktoni me avokatin tim z. Artan Sadiku. Ai është personi përkatës lidhur me rastin”, është përgjigja e tij.

Por, ka disa ditë që redaksia i ka dërguar pyetje edhe tek avokati i saj, Artan Sadiku, i cili po ashtu ka qenë dhe avokat i reperes Loredana Zefi.

Pyetjet e Reporteri.net i janë dërguar avokatit edhe përmes postës elektronike, por edhe në numrin e tij të telefonit për të gjitha pretendimet e çiftit zviceran, por avokati nuk është përgjigjur në to.

Gazeta nga i njëjti ka kërkuar sqarime edhe rreth pretendimeve të çiftit zviceran për lidhjen mes Loredana Zefit dhe Ilire Kozhanit, ngase Artan Sadiku ishte i angazhuar si avokat nga të dyja, për rastet e tyre.

Reporteri.net i ka dërguar pyetje përmes postës elektronike dhe Thomas Fingerhuth, avokatit tjetër të këngëtares Loredana Zefi, por deri tash nuk ka marr përgjigje.

Se ka lidhje mes këtyre dy shqiptareve, e përmend edhe Gerald Schwarz.

“Loredana ka avokatin e njëjtë që e ka edhe ajo tani. Z. Artan Sadiku është avokati i saj tash. Vajza e saj (A.Z) donte gjithashtu të bëhej këngëtare dhe ishte apo është ende aktive në Kosovë. Ajo kishte apo ka ende kontratë me një kompani diskografikë, mendoj emri i saj është ON-Records. Loredana bëri të njëjtën mashtrim këtu në Zvicër si Ilire Kozhani”, tha zvicerani.

“Jam plotësisht i bindur që këtu ka një lidhje. Avokati im e sheh po ashtu atë në të njëjtën mënyrë”.