Nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për nder të 30-vjetorit të rënies në altarin e lirisë të dëshmorit të kombit, Xhemajli Berisha, në Prizren është mbajtur një akademi përkujtimore, me ç’rast presidenti i Kosovës e ka dekoruar dëshmorin me titullin “Hero i Kosovës”.

Xhemajl Berisha ishte ndër veprimtarët e devotshëm të çështjes kombëtare, i cili me mërin e tij bëri epokë jo vetëm në Prizren por në të gjitha trojet shqiptare.Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se në rrugëtimin sypatrembur të djemve dhe vajzave të Kosovës, epoka e lëvizjes atdhetare nga sundimi serbo-sllav me brezin e veprimtarit Adem Demaçi, e hapi epokën e re të luftës së popullit të Kosovës për çlirim dhe pikërisht në këtë kohë ishte edhe i riu Xhemajli Berisha.Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytahir Haskuka tha se dëshmorët duhet të jenë udhrrëfyes për neve dhe gjeneratat e reja.

Duke portretizuar figurën e dëshmorit, profesori Mehmet Hajrizi tha se Xhemailiu hyri në mesin e dëshmorëve që u bën shembull frymëzimi për dëshmorët e UÇK-së.

Ismail Syla, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, tha se sot po nderohet fryma Demaçiane.

Nexhmedin Berisha, vëllau i Xhemajli Berishës, tha se dëshmorët me veprat e tyre lan gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

Në fund familjes së dëshmorit Xhemaili Berisha iu dha urdhri ‘Heroi i Kosovës”, i ndarë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Xhemajl Berisha ka lindur më 17 prill 1958 në Brestovc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren dhe diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Atë e torturuan në burgjet serbe më 6 prill, pastaj duke e hedhur nga dritarja në mesditë. Më pas trupin e dërgojnë në spital duke kërkuar nga mjeku Halil Berisha, që të nënshkruaj për vetëvrasjen e tij. Berisha refuzoi dhe është gjetur i vrarë pas tre muajve.