Që nga 15 shtatori e deri me 15 dhjetor thuajse çdo ditë janë organizuar aksione për pastrimin e Kosovës, megjithatë vendi ende vazhdon të jetë i papastër.

Këtë e pranojnë edhe vet ata që kanë qenë pjesë e Task Forcës që është formuar për ta pastruar Kosovën, por se thonë se të paktën është bërë një vetëdijesim i popullatës për rëndësinë e të pasurit një ambient të pastër.Me qëllim të pastrimit të Kosovës Qeveria ka ndarë edhe buxhet prej 815 mijë eurove, në mënyrë që të realizohet në përpikëri plani operativ që ishte caktuar nga Task Forca.Gjatë kësaj periudhe tre mujore janë pastruar 893 deponi ilegale me mbeturina gjithandej Kosovës.

Pjesë e Task Forcës ka qenë edhe organizata mjedisore “Let’s Do It Kosova”, ku drejtori ekzekutiv i kësaj organizate Luan Hasanaj, për KosovaPress ka thënë se pas këtij aksioni Kosova është shumë më e pastër.Hasanaj thotë se gjatë këtij aksioni është vërejtur një vetëdijesim më i madh i qytetarëve, një vetëdijesim i tillë që sipas tij është parë edhe tek institucionet e vendit.

Gjatë këtij aksioni vetëm hapësira rreth stadiumit të Prishtinës “Fadil Vokrri” është pastruar tri herë. Njëjtë ka ndodhur edhe me kampusin universitar.E problematikë kryesore po del të jetë pikërisht ky fakt, pasiqë hapësirat që janë pastruar kanë filluar prapë të bëhen deponi.Task Forcën për pastrimin e Kosovës e ka udhëhequr Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku ministri Fatmir Matoshi, këtë fushatë e quan të suksesshme. Megjithatë, thotë se Kosova ende është e papastër.

I pari i Mjedisit, ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga kryetarët e komunave që të shtojnë aktivitetet e inspektorëve komunal nëpër ato vende ku qytetarët hedhin mbeturinat.Matoshi nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së kamerave nëpër disa pozicione që janë më të ndjeshme, për të monitoruar kështu sjelljet e qytetarëve ndaj mjedisit.

Matoshi ka deklaruar se nuk do të lejojnë krijim të deponive ilegale në të ardhmen, do të fokusohen në përmirësimin e infrastrukturës së deponive legale, dhe se kanë kërkuar prej komunave që nuk kanë deponi legale të materialit ndërtimor që t’i përcaktojnë ato, në mënyrë që të dihet saktë brenda territorit të një komune se ku është deponia.Gjatë kohës kur është mbajtur ky aksion për pastrimin e Kosovës ka hyrë në fuqi edhe udhëzimi administrativ për ndëshkimin me gjoba mandatore për ata që ndotin ambientin. Vetëm gjatë muajit nëntor inspektorët komunal mjedisor kanë shqiptuar 89 gjoba për ndotësit.