Fushata agresive diplomatike që është duke e bërë Serbia karshi Kosovës, bëri që Qeveria e Kosovës të rritë taksën 100 përqind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës.
Kjo masë megjithëse u mirëprit nga të gjithë, njohësit e politikave ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve, përkundër kësaj shprehën se duhet të jenë të kujdesshëm dhe në gjetjen e alternativave për tregje të reja e sidomos për produkte strategjike që lidhen me lëndën e parë. Ndërsa, për gjërat ushqimore theksojnë se të gjitha janë të zëvendësueshme.
Drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një intervistë për KosovaPress u shpreh se menjëherë pas vendit të Qeverisë, ai ka pas një takim me shumicën e bizneseve të cilët një zëri e kanë përkrahë këtë taksë.
Mirëpo, Rukiqit thotë se për disa produkte strategjike duhet të gjetur alternativa për tregje të reja.
Sipas tij duhet parë në shtetet e rajonit, ku shtoi se vetëm kanë nisur kontaktet e para sepse nëse shfaqet mungesa e produkteve në treg, ajo do të bëjë që të lëvizë çmimi.Masat e tilla për drejtorin e Odës Ekonomike nuk janë të përhershme, sipas tij këto duhet të shfrytëzohen për momente reflektimi, sepse në gjitha rastet ndërkombëtare këto janë kalimtare.
Skënder Krasniqi nga Oda e Afarizmit të Kosovës, tha se taksa e vendosur për produktet e dy shteteve fqinje do të bëjë që Kosova të ketë më shumë prodhime vendore.
Sipas tij të gjitha produktet që vijnë nga Serbia janë të zëvendësueshme. Mirëpo, Krasniqi thekson se ajo çka duhet të bëjë Qeveria është që të ndajë një buxhet për t’i ndihmuar prodhuesve vendor që të gjejë alternativa për të siguruar lëndën e parë në mënyrë që as kompanitë e as qytetari mos afektoj në çmimin e tregut.
Të kënaqur me vendimin e qeverisë shprehen dhe nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Vllaznim Osmani nga ky klub tha se ky vendim i jep sektorit të prodhimit që të zhvillohet.
Sipas tij, zëvendësimi i produkteve serbe duhet të bëhet me anë të gjetjes së tregjeve të reja, ose të prodhohet vet lënda e parë në Kosovë.Osmani, theksoi se nëse mbahet ky vendim në një periudhë më afatgjate, do të ketë hapësira dhe për vende të reja të punës.Ndërsa,
Sefer Zogaj nga Instituti për kërkime Ekonomike tha se fokus kryesor duhet të jetë tek sigurimi i tregjeve alternative.
Sipas tij Qeveria nuk duhet të përkrahë prodhuesin vendor duke rritë shpenzimet publike, mirëpo duke bërë lehtësime të normave tatimore për prodhuesit.Përndryshe, Kosova dhe në vitin 2011 kishte ndërmarrë një masë të tillë, mirëpo pas presioneve të mëdha ndërkombëtare e kishte larguar./KosovaPress/







