Kryeministri Avdullah Hoti ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, atë të Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si dhe të Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti diskutoi me të pranishmit për tema me interes dhe çështje që ndërlidhen me këto kategori, ku potencoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të qenë afër tyre në përballimin e sfidave që ata kanë.

Hoti tha se Qeveria që ai udhëheq do të merret me trajtimin dhe realizimin e kërkesave të tyre. Ndërsa, përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, falënderuan kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe për gatishmërinë e tij që çështjet që ndërlidhen me ta të kenë trajtimin e duhur nga Qeveria.