Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi, duket se ende nuk beson se në marrëveshjen e Brukselit dhe atë të zbatimit që u dakordua në Ohër, nuk ka Asociacion. Ai në një intervistë në Dukagjini ka insistuar se “s’ka Asociacion”. Anipse jo më larg se javën e kaluar vet Kryeministri Kurti në një intervistë për Al Jazeera e kishte pranuar se marrëveshja përmban edhe Asociacionin.

“Fjala e termi Asociacion në marrëveshje nuk përmendet në asnjë rast, tekstualisht. Pika, vetëmenaxhues, menaxhimi është nocion ekonomik, nuk ka drejtim nuk ka udhëheqje. Nuk është qeverisje“, tha deputeti Rrustemi.

Çka kishte thënë Kurti?

Al Jazeera, medium i njohur globalisht, ka publikuar një dokumentar me dy pjesë, ku flitet për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Në të dy pjesët, njëri nga folësit është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në këtë intervistë, Kurti është pyetur për Asociacionin, serbët dhe marrëdhëniet e qeverisë qendore me serbët lokalë.

“Një pyetje direkte. Asociacioni, po apo jo?” – e pyet gazetari i njohur kosovar, Eki Rrahmani, që punon si producent në Al Jazeera.

Sigurisht, Kurti nuk u përgjigj me vetëm po ose jo. Megjithatë, Kurti e pranoi se e ka pranuar themelimin e Asociacionit, por vetëm “si paketë”.

“Natyrisht, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Sidoqoftë, kjo është pjesë e Marrëveshjes Bazike tani. Neni 7 thotë se “Komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim”. Në anën tjetër, neni 10 thotë se “të gjitha marrëveshjet paraprake të nënshkruara duhet të zbatohen”. Pra, unë nuk po e mohoj atë, sidoqoftë vetëm si pjesë e një pakoje të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke. Nuk mund të zgjedhni nga 39 marrëveshjet paraprake, një që është e preferuara juaj, thuajse sikur të ishte një byfe suedeze, ku e zgjedhni ushqimin tuaj të preferuar, as ta vendosni para Marrëveshjes Bazike. Si paketë, unë thashë po”, tha ai.