E ardhmja e De Jong është te Barcelona
“Faleminderit, por Frankie de Jong do të shkojë te Barcelona”.
Konfirmimi vjen nga kjo përgjigje që menaxheri i futbollistit holandez, Ali Dursun, u ka kthyer PSG-së dhe Manchester Cityt, klube që gjithashtu janë interesuar seriozisht për të siguruar shërbimet e 21-vjeçarit.
“El Mundo Deportivo”, që është shumë pranë klubit katalan, zbulon se një delegacion i kryesuar nga vetë presidenti Bartomeu (bashkë me drejtuesit e tjerë të lartë të Barçës), ka fluturuar drejt Amsterdamit pak ditë më parë, duke anuluar firmën që ishte gati të hidhej në marrëveshjen me PSG.
De Jong është bindur t’i thoshte përfundimisht po Barcelonës nga stili i lojës së “blaugranave”, që u përshtatet shumë karakteristikave të tij. Ajaxi nuk heq dorë nga kërkesa prej 75 milonë eurosh për një talent që majin e ardhshëm do të mbushë 22-vjeç.
Zyrtarizimi mund të vijë shumë shpejt, kështu që në “Camp Nou” kanë nisur përgatitjet për të pritur një yll në ngjitje të futbollit holandez.