Njohjet

Dy vite të plota pa njohje deri mbrëmë për Kosovën – a do të këndellet politika e jashtme?

Kanë kaluar saktësisht 2 vite e 5 ditë që kur Kosova e ka pranuar njohjen e fundit para kësaj që erdhi sot nga Xhamajka.

Ishte saktësisht 15 shkurti i vitit 2018 kur Kosova pranoi njohjen e fundit të pavarësisë e që ishte nga Barbadosi

Një vit para Barbadosit, Kosova pranoi njohje nga Republika e Madagaskarit dhe ajo e Bangladeshit.

Kurse në vitin 2016 pavarësia e Kosovës u njoh nga Singapori dhe Surinami dhe vlen të theksohet se nga 23 qershori i vitit 2015, Kosova brenda 5 viteve ka pranuar vetëm 5 njohje pa e llogaritur njohjen që erdhi sonte nga Xhamajka.

Ndërsa sonte, Xhamajka e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe kjo njohje vjen pas dy vite të plota pa njohje.

Mungesa e njohjeve të Kosovës u pa edhe si dështim i ish-minsitrit të jashtëm, Behxhet Pacolli, ani pse ky i fundit kishte premtuar 45-60 njohje gjatë mandatit të tij, por gjatë kësaj kohe erdhi vetëm 1 e tillë.

Përveç dështimit të diplomacisë së Kosovës, fushata e ashpër e Serbisë për ndalimin e njohjeve dhe për ç’njohjet e pavarësisë së Kosovës ka ndikuar mjaft shumë që të mos ketë të tilla.

Njohja e pavarësisë nga Xhamajka u bë e ditur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Lajm i mirë. Sa jam njoftuar nga ambasadorja jonë Vlora Çitaku se Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës si sovrane dhe të pavarur. E di se kjo është rezultat i punës së zellshme dhe lobimit disa vjeçar, duke përfshirë edhe kongresmenin Eliot Engel. Punë e mirë. Faleminderit miqtë e dashur nga Kingston”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa ministri i jashtëm, Glauk Konjufca ka falënderuar Xhamajkën për njohjen e Kosovës dhe ka paralajmëruar fillimin e marrëdhënieve diplomatike.

Konjufca paralajmëron fillimin e marrëdhënieve diplomatike me Xhamajkën

Partia e ministrit të tanishëm të jashtëm, Glauk Konjufca, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë mjaft kritike ndaj punës së ish-ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli.

Tani, kur diplomacia kosovare është në duart e Konjufcës mbetet të shihet nëse ky dikaster me rëndësi i vendit do të këndellet dhe Kosovës do t’i kthehen njohjet.