Angli

Dy shqiptarë, “bossa” të drogës në Angli

Prokurori i kësaj çështje, Jeremy Oliver deklaroi se në fabrikë ishin rreth 963 bimë kanabisi.

Shqiptarët në Angli vijojnë të etiketohen si “zotërues” të tregut të drogës. Së fundmi, dy shqiptarë akuzohen se janë të përfshirë dhe kanë gisht në një fabrikë kanabisi, i cila prodhonte drogë që arrinte deri në 750 mijë paund.

Sipas mediave britanike, shqiptarët e dyshuar janë Adeljan Oshafi, 31 vjeç, i cili është paraqitur në gjykatën britanike dhe pranoi së është fajtor për prodhim të marijuanës në një banesë. Së bashku me Oshafin nën akuzë është edhe Neim Bakia, 23 vjeç. Ai ka shfaqur pendesë në seancën gjyqësore, përcjell gloucestershirelive.co.uk, raporton “BalkanWeb”.

Policia britanike zbuloi shtëpinë të premten, ndërsa u gjetën dy kate me qindra rrënjë kanabisi, drita të cilat përcillnin elektricitetin tek bimët si dhe disa pajisje të tjera të dyshimta. Mediat britanike shkruajnë se pajisjet në katet e banesës ku u gjet droga ishin aq të shumta, saqë një ditë të tërë policia ka punuar me ritëm për t’i larguar.

Prokurori i kësaj çështje, Jeremy Oliver deklaroi se në fabrikë ishin rreth 963 bimë kanabisi, vlera e të cilave mendohej të shkonte nga 250.000 deri në 750.000 Paund.

“Ata vidhnin elektricitetin. Është një nga operacionet më të sofistikuara që kemi parë ndonjëherë”, tha Oliver.

Prokurori i çështjes tha se shqiptari nuk duhet liruar me kusht, pasi ai mund të përfshihet në vepra të tjera të rrezikshme, të cilat mund të shkaktojnë probleme për shoqërinë britanike. Nga ana tjetër, avokatja e shqiptarit shtoi se klienti i saj nuk kishte rol si kreu apo ideatori, por ishte thjesht si “kopshtar” në banesën ku u gjetën bimët e kanabisit.

“Ai nuk mori pjesë në ngritjen e fabrikës, duke vjedhur energjinë elektrike apo duke organizuar fermën”, mësohet të jetë shprehur avokatja e shqiptarit.

Mediat britanike shpeshherë kanë raportuar raste të kultivimit të lëndëve narkotike duke raportuar se shqiptarët luajnë role kyçe në këtë pjesë. Vendimi për dy shqiptarët pritet të jepet në muajin nëntor dhe data sipas mediave vendase është përcaktuar 23 nëntori.