Dua Lipa emërohet bashkë-kryesuese e Met Gala 2023

Është shpallur tematika e veshjes dhe bashkë-kryesuesit e ‘Met Gala 2023’.

Tematika e veshjes së modës ekstravaganze për vitin 2023 do të jetë ‘Karl Lagerfeld: A Line of Beauty’, duke i bërë dedikime stilistit kontrovers të modës, njoftoi Vogue, shkruan DailyMail.‘Met Gala 2023’, e cila do të zhvillohet më 1 maj në Muzeun Metropolitan në New York City, do të ketë Penelope Cruz, Michaela Coel, Roger Federer dhe Dua Lipën si bashkë-kryesues, së bashku me Anna Wintour.

Dua Lipa në ‘Met Gala 2019’ (Foto: Dimitrios Kambouris/Getty Images for The Met Museum/Vogue)

Revista “Vogue” njoftoi lajmin të mërkurën në mëngjes përmes rrjeteve sociale dhe uebsajtit të saj, se tema e vitit 2023 do të jetë ‘in honor of Karl (për nder të Karlit)’.

Karl vdiq më 19 shkurt 2019 në moshën 85-vjeçare pas komplikimeve të kancerit të pankreasit.

Dizajneri i modës shërbeu si stilist krijues për markat “Chanel”, “Fendi” si dhe brendin e tij.

Ai gjithashtu ka punuar me Chloe, Patou dhe Balmain gjatë karrierës së tij në modë.

E lumtur, Dua Lipa ndau me ndjekësit e saj në Instagram lajmin se do të jetë bashk-kryesuese e eventit të rëndësishëm, ‘Met Gala 2023’.

“E emocionuar të njoftoj se jam një nga bashkë-kryesueset e ‘Met Gala 2023’ së bashku me Michaela Coel, Penelope Cruz, Roger Federer dhe Anna Wintour. Shihemi të hënën e parë të majit. ‘Met Gala 2023’ feston hapjen e ‘Karl Lagerfeld: A Line of Beauty’ dhe i siguron Institutit të Kostumeve burimin kryesor të financimit vjetor për ekspozita, botime, blerje, operacione dhe përmirësime kapitale”, ka shkruar Lipa në Instagram. /Telegrafi/