Drejtësia ndërkombëtare dështoi, Prokuroria e Kosovës do të ngrit aktakuza për gjenocidin serb

Kryesia e Kuvendit ka mbajtur mbledhjen e saj të radhës, në të cilën ka caktuar disa seanca të reja plenare.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë pas mbledhjes se të enjten do të ketë seancë për themelimin e një komisioni shtetëror, i cili do të ketë për mision identifikimin, dokumentimin dhe faktimin e gjenocidit serb në luftën e fundit.

“Po atë ditë do të kemi rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë, për të vazhduar pastaj me vendimin e kuvendit për ncërtimin e muzeut për gjenocid të Serbisë mbi qytetarët e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se pret përkrahje nga të gjithë në Kuvend për këto pika, duke shtuar se Kosovës i takon të faktoj të gjitha krimet dhe gjenocidin që ka kryer serbia, në mënyrë që ti jepet një perspektivë e re Ballkanit Perëndimor.

“duhet të përkushtohemi që sot dhe çdo ditë të krijojmë paqe të qëndrueshme . Kemi edhe disa seanca që janë vazhdimësi e pikave të mbetura. Do të kemi edhe një seancë që na përkujton një dhimbje, 20 vjetori i masakrës në Burgun e Dubravës, që janë kryer nga shteti serb. Unë kisha pas dëshirë të fokusohemi nga gjenocidi serb. E di se ka pak skepticizëm, Serbia mundet me u mujt çdo herë, e mesazhi është ky për këtë tribunal, i cili do të marr kohë do të dokumentohen dhe do të faktohen, nuk do të jenë vetëm fjalë, do të jenë me dhjetëra e qendra, dëshmitarë e aktakuza për krimet që kanë ndodh në Kosovë”, ka theksuar Veseli.

Sipas tij, meqë drejtësia ndërkombëtare nuk e ka kryer punën e vet, atëherë aktakuzat do të ngritën nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

“Askush nuk ka të drejt të na kërkoj diçka e as të mohoj të vërtetën që ka ndodh në Kosovë. Tribunali nuk është kundër asnjë kombi, por një komb që jeton me krime të tillë, nuk i pranon, por i mohon. Ne nuk do t’ia lejojmë akujt që të vënë dorën mbi njerëzit tanë e fëmijët tanë. Ka dëshmitarë, dëshmi, prova faktike për krimet. Kanë kaluar dy dekada nga ajo kohë, të enjten do të marrim edhe propozime, e unë do të bëj edhe propozime që janë kryer nga neutracionalistët tanë dhe ekspertët, mos krijoni skepticizma, por optimizma”, ka shtuar Veseli.

Ai ka përsëritur se tribunali mund të marrë shumë kohë deri në themelim, duke theksuar se ai do të jetë ndërkombëtar.