Propaganda serbe

Drecun: Tentativa e Kosovës për të formuar ushtrinë destabilizon gjithë rajonin

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi, Miovan Drecun, ka thënë se serbët në Kosovë nuk janë të mbrojtur në kohën kur Kosova po provon që ta formojë ushtrinë.

Ai ka thënë se rënia e dinamikës në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel ka sjell jostabilitet në Kosovë, ku sipas tij, është rritur pasiguria ndaj qytetarëve serbë, shkruan mediumi serb Tv Most.

“Vazhdimi i bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës është i paqartë. Poashtu ka një jostabilitet politik në strukturën politike në Kosovë. Ka kërcënime të vazhdueshme prej atyre që duhet t’i mbrojnë qytetarët serbë, si Haradinaj dhe të tjerët. Ata kërcënojnë serbët që ta arrijnë spastrimin etnik duke i tmerruar dhe dhunuar ata”.

Drecun ka thënë se tentativa e Kosovës për të formuar ushtrinë destabilizon jo vetëm Kosovën, por që të gjithë rajonin. Ndërkaq, sipas tij, nëse Kosova do të pranohej në Interpol, kjo do të shkonte në dëm të serbëve që jetojnë brenda saj.