Dosja e Prokurorisë: Si ndodhi vrasja në Suharekë për 20 euro borxh?

Mosmarrëveshja lidhur me një borxh prej 20 euro kishte çuar në vdekjen e një personi në Suharekë në janar të vitit 2020.

Në dosjen e Prokurorisë që KALLXO.com ka siguruar jepen detajet dhe rrethanat që dërguan deri në vrasjen e tashmë të ndjerit, Shaip Krasniqi.

Në aktakuzë thuhet se në orët e vona të mbrëmjes së 26 janar 2020, në një kafiteri të fshatit Maqitevë të Komunës së Suharekës, pas mosmarrëveshjeve lidhur me një borxh prej 20 euro, i akuzuari Sylejman Ahmeti privon nga jeta Shaip Krasniqin.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj  të dyshuarit Ahmeti të cilin po e ngarkon për veprat penale, vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas dosjes, fillimisht i akuzuari dhe viktima takohen që të bisedojnë në lokalin e Liman Aliut në fshatin Maqitevë, mirëpo situata eskalon me sharje dhe fyerje, e nga aty i ndjeri del jashtë në oborr, dhe i kërkon falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, ndërsa i akuzuari me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Aktakuza tutje sqaron se i akuzuari Sylejman Ahmeti shkon te kamioneta e tij dhe nga aty merr pushkën automatike “AK-47” dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu dhe mysafirëve të tjerë në oborrin e lokalit, në një distancë të shkurtër shkrep në drejtim të të ndjerit Shaip, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrëzohet në tokë.

Pastaj deri sa ishte i rrëzuar, duke e sharë e godet edhe disa herë me ç’rast shkakton 8 plagë të cilat qenë vdekjeprurëse për të.

Kurse, në seancën e sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Sylejman Ahmeti, Nazmi Mustafa i ka propozuar gjykatës që t’i jep mundësi të akuzuarit që para fillimit të kësaj seance të deklarohet vetë rreth gjendjes së tij psikofizike.

Lidhur me këtë propozim, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, ka sqaruar se gjykata nuk ka pranuar asnjë prove ose shkresë nga qendra e paraburgimit sa i përket gjendjes shëndetësore-psikofizike të të akuzuarit e që të njëjtit gjykatën e njoftojnë për çdo detaj.

Seanca ka vazhduar edhe me dëshminë e Liman Aliu, dëshmitar dhe njëkohësisht pronar i lokalit ku kishte ndodhur vrasja.

I njëjti deklaroi se mbetët në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici dhe prokurori.

Dëshmitari Aliu para trupit gjykues rrëfeu vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2020, si dhe iu përgjigj pyetjeve të parashtruara nga ana e prokurorisë, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij. Sipas dëshmitarit, ai i kishte njohur të dy palët dhe i vinte keq për ngjarjen e ndodhur dhe deklaroi se nuk kishte dijeni nëse viktima dhe i akuzuari kishin pasur më herët probleme ndërmjet vete.

Seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta do të vazhdojë më 26 gusht 2021 me dëgjimin e dëshmitarit Agron Alija.