DOKUMENTE| Presidentja ia bëri edhe një favor Kurtit, Dejona Mihalin ia bëri kosovare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka bërë edhe një favor kryeministrit Albin Kurtit. Atij ia ka bërë “kosovare” një prej bashkëpunëtoreve më të afërta.

Njihet si “nëntoka” e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila merret me lista punësimesh, lista largimesh nga puna dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në të kaluarën ka pasur ngapak probleme me hyrjen në Kosovë, por Dejona Mihalit tashmë ia ka zgjidhur këtë problem vetë presidentja Vjosa Osmani.

Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht kërkesën e Mihalit për shtetësi dhe dekretin e presidentes Osmani, ku me procedurë të përshpejtuar e ka bërë atë kosovare.

Në fillim të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, Dejona Mihali është bërë zyrtarisht shtetase e Republikës së Kosovës brenda një muaji, pas dorëzimit të kërkesës së saj.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Demokracia.com, ajo më 4 shkurt 2022 e ka dorëzuar kërkesën, më 11 shkurt 2022, siç shkruan në “preambulën” e dekretit, i është protokolluar dhe më 31 mars 2022 asaj i është dorëzuar edhe dekreti i presidentes Vjosa Osmani.

Për dallim nga bashkëpartiakët e saj, zyrtarja e prapaskenave në LVV, në kërkesën e saj drejtuar Osmanit tregon sesi për herë të parë e ka vizituar Kosovën e çliruar në vitin 2000, që zyrtarë të ndryshëm të LVV-së e quajnë të çliruar më 14 shkurt 2021.

“Do të ishte krenari e lartë që të më jipet mundësia ta gëzoj shtetësinë e Republikës së Kosovës për të cilën bashkë me shumë kolegë kemi punuar e do të punojmë deri sa mundësitë objektive të na mundësojnë”, shkruan ndër të tjera Mihali, në kërkesën e saj, përcjell Demokracia.com.

Në fund, me një betim “copy-paste” si të Martin Berishajt, edhe Mihali i betohet presidentes Vjosa Osmani se do të jetë qytetare e devotshme dhe do t’i respektojë Kushtetutën, ligjet, doket dhe zakonet, të cilat nuk i kishte respektuar sa LVV-ja ishte në opozitë.

Në verën e vitit 2016, Policia e Kosovës ia kishte ndaluar asaj hyrjen në Kosovë dhe kjo e kishte nervozuar fort lidershipin e LVV-së.

“A mund të na tregojnë pra, autoritetet e Kosovës që e kanë marrë këtë vendim, se me cilin veprim Dejona Mihali e ka shkelë rendin publik, sigurinë publike, shëndetin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare?”, kishte thënë Konjufca në një konferencë të jashtëzakonshme, menjëherë pas atij vendimi të institucioneve të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani me procedurë të përshpejtuar, sikur të ishte kushedi çfarë interesi shtetëror, menjëherë pas kërkesës së saj në muajin tjetër e kishte nxjerr dekretin për ta bërë kosovare Dejona Mihalin.

Dejona Mihali ishte përfolur në të kaluarën edhe si ideatore e dhunës politike të Vetëvendosjes, të cilën e përdori si mjet për të ardhur në pushtet. /Demokracia.com/