DOKUMENTE| Martin Berishaj i ishte betuar presidentes Osmani: Do të jem qytetar i devotshëm i Kosovës

Një skandal i madh i zbuluar në Slloveni ka përfshirë edhe një ambasador të Kosovës, të cilit rishtazi i ishte dhënë edhe shtetësia e Kosovës. 

Martin Berishaj, që iu dha shtetësia me dekret të presidentes Osmani, u emërua menjëherë ambasador në Kroaci pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.

Mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku tani i përfshirë është edhe ambasadori Martin Berishaj dhe politikani Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Berishaj në vitin 2021, pak para se të propozohej për ambasador të Kosovës në Kroaci, e kishte marrë edhe shtetësinë kosovare.

Ai në një dokument ekskluziv që kishte siguruar Demokracia.com i ishte betuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, se do të jetë qytetar i devotshëm dhe do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe zakonet e vendit tonë.

Demokracia.com vitin e kaluar kishte publikuar kërkesën për shtetësi të Martin Berishaj, të cilën e kishte bërë më 7 janar 2021 kinse për “çështje shkencore”, meqë thoshte se ishte i angazhuar si “profesor vizitorë” mbi një dekadë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku gjatë asaj kohe Osmani ishte u.d. presidente.

Megjithatë, pak para se t’i nënshkruante vendimet për kthimin e ambasadorëve politikë, Osmani ia kishte dhënë shtetësinë me dekret presidencial Martin Berishajt, i cili veçse dihej që do të emërohej ambasador, ndonëse përflitej se nuk kishte shtetësi të Kosovës.

Demokracia.com gjithashtu kishte siguruar edhe dekretin e presidentes Osmani, me të cilin shtetasit slloven Martin Berishaj, më 14 prill 2021 i ishte dhënë shtetësia e Kosovës për “çështje shkencore”, sepse pak kohë më pas do të propozohej si ambasador i Kosovës në Kroaci.

Berishaj ishte edhe anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. /Demokracia.com/