Ministrja e Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka ushtruar presion ndaj kryeshefit të Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejzës, para se të krijonte Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë për shkarkimin e tij. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Fejza për Demokracia.com.

Pozitën që e mbajti nga viti 2018, Ferki Fejza e humbi në korrik të 2021-ës, pas shkarkimit nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.

Sipas vendimit të publikuar nga MINT, shkarkimi i Fejzës kishte ndodhur për disa veprime të jashtëligjshme, megjithatë Demokracia.com ka mësuar se ministrja Hajdari e kishte nisur “luftën” me të shumë më herët.

Hajdari, para shkarkimit i kishte bërë presion të vazhdueshëm kryeshefit të kësaj agjencie.

Në disa shkresa që i ka siguruar Demokracia.com, shihet se ministrja e Qeverisë Kurti kishte shkuar aq larg saqë i kishte kërkuar atij që të mos u delegonte punë punëtorëve të tij dhe të mos u kërkonte atyre raporte.

Në këto e-maile vërehet se ministrja Hajdari kishte ndërhyrë drejtpërdrejtë në punët e Agjencisë së Metrologjisë përmes kërkesave drejtuar Fejzës.

“I nderuar drejtor,

Si kabinet jemi në dijeni për kërkesa të shtuara që po u bëni vartësve tuaj për informata dhe raportime të jashtëzakonshme. Kërkesat i keni bërë me shkrim përmes postës elektronike, por edhe gojarisht në takime me nëpunësit. Rikujtojmë se llogaridhënia duhet të jetë e rregullt dhe se kërkesat e posaçme duhet të kenë shkas legjitim dhe të parashtrohen me korrektësi, pa cenuar integritetin e nëpunësve dhe mjedisin e punës. Rrjedhimisht, kërkoj të ndërpritni çdo kërkesë, hetim ose disiplinim pa shkas detyrues bazuar në ligj. Gjithashtu, ashtu siç ju kam udhëzuar në takimin tonë të 2 prillit 2021, pres që të ushtroni detyrën me përgjegjësi dhe mirësjellje ndaj nëpunësve të Agjencisë”, i kishte shkruar ministrja Hajdari, kryeshefit Fejza në e-mailin e 4 korrikut të vitit të kaluar.

Hajdari kishte provuar edhe ta “shantazhonte” Fejzën, duke i thënë se po monitorohej në vazhdimësi dhe se po i kushtojnë vëmendje të veçantë situatës. Fejza më pas i ishte kundërpërgjigjur ministres Hajdari, duke ia bërë të qartë se ai po i kryente vetëm punët e tij sipas ligjit.

“E nderuar ministre, përkitazi me kërkesën tuaj, ju informoj se si Drejtor i Përgjithshëm i AMK-së, brenda kompetencave të mia ligjore, kërkoj përgjegjësi, llogaridhënie dhe njoftim nga vartësit e mi në AMK. Është më se e qartë se AMK ushtron veprimtarinë profesionale brenda MINT, si agjenci ekzekutive, siç është përcaktuar në legjislacionin përkatës në fuqi, për të cilën veprimtari mbretem përgjegjës dhe rrjedhimisht duhet të jem i informuar. Nëse ju konsideroni këtë si “kërkesë të shtuar”, atëherë le të mbetet në përgjegjësinë tuaj, veprimet e dyshimta që kanë ndodhur brenda AMK-së nga vartësitë e tjerë. Si drejtor i AMK-së, kërkoj nga ana juaj që të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, për evitimin e këtyre parregullsive”, shkruan Fejza në e-mailin e siguruar nga Demokracia.com.

Demokracia.com ka kontaktuar me drejtorin e shkarkuar lidhur me këtë çështje, i cili ka konfirmuar se ka pasur shumë presion dhe se shkarkimi i tij ndodhi një ditë para se të dilte në inspektim për verifikimin e njësorëve të KEDS-it.

“Kam pasur presione shumë të fuqishme dhe në fazën e parë ministrja i ka takuar zyrtarët e Agjencisë dhe ka filluar ta rrisë presionin ndaj meje. Tendenca e shkarkimit ka qenë se ditën që është nxjerrë vendimi në orën 18:00 të mbrëmjes, të nesërmen parashihej që të dilja në inspektim për verifikimin e njësorëve në KEDS. KEDS-i përkundër faktit se ju ka bërë thirrje disa herë, ju kam kërkuar takim përfaqësuesve, nuk janë përgjigj për verifikimin e njësorëve elektrikë. Diku llogaritet rreth 700 mijë njësorë elektrikë në Kosovë janë të pa verifikuar. Kjo do të thotë se ekziston mundësia potenciale që konsumatorët të paguajnë joproporcionalisht me shpenzimin. KEDS-i ka hezituar ta bëjë këtë hap për shkak se i ka kushtuar kosto. Në udhëzimin administrativ për tarifat, që është nënshkruar nga Hajdari në Qeverinë Kurti I, është nxjerrë tarifa për verifikimin e njësorëve elektrikë në vlerën 26 euro për njësor elektrik. Njëra ka qenë 26, tjetra 35, pasi ndahet në disa kategori. 700 mijë njësorë nga 26 euro kanë kosto 18 milionë euro. Kanë bërë presion te unë dhe shkarkimi lidhet direkt me këtë. Pas shkarkimit tim, kanë filluar procedurën në bashkëpunim me zyrtarë të Metrologjisë që të ndryshohen tarifat. Nuk e di se a është nënshkruar draft-udhëzimi, parashihet që 1 euro e 50 cent të jetë tarifa për verifikimin e njësorëve elektrikë, që do të thotë se nuk ka llogari, se kostoja shfrytëzuese është më e madhe për atë që e bën verifikimin, se sa tarifa”, ka thënë Fejza për Demokracia.com.

Fejza ka treguar se shkarkimi i tij lidhet edhe me 7 milionë euro që janë ndarë si fond i paraparë për Metrologjinë nga Banka Botërore, por që të njëjtat u shpërndanë si mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në pandemi.

“Mua ministrja më ka dërguar e-mail dhe më ka thënë pse po u kërkon raporte zyrtarëve, gjë që është normale. Kam marrë vërejtje prej ministres veç pse kam kërkuar nga drejtorët raport për çështjet që do të duhej të ishte informuar edhe ministrja. Ministren Rozeta Hajdari e kam informuar, se shkarkimi im lidhet edhe me devijimin e 7 milionë eurove që kanë qenë të dedikuara nga Banka Botërore për Metrologjinë. Pikërisht në kohën e Qeverisë Kurti I, nën kryesimin e Rozeta Hajdarit, ato fonde janë devijuar dhe kanë shkuar për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, për përkrahjen e tyre. Ky është keqpërdorimi më i madh në historinë e Kosovës. Këto para kanë qenë të votuara në Parlamentin e Kosovës, por fondet kanë shkuar si grante për dikë tjetër dhe kjo është shkelje e rëndë e ligjit”, ka thënë Fejza.

Demokracia.com e ka pyetur Fejzën rreth bazës ligjore mbi të cilën ka ardhur shkarkimi i tij, të cilin, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë e quan krejtësisht të jashtëligjshëm.

“Ka pasur shkelje të ligjit në procesin e shpërndarjes së këtyre fondeve. Këto fonde nuk mund të ridestinohen pa qenë unë në njohuri si kryeshef. Arsyeja që është dhënë nga ministria është fiktive dhe nuk qëndron, ku thuhet se nuk ka pasur kapacitete njerëzore në agjencinë. Shtrohet pyetja, pse a ka pasur më tepër resurse njerëzore në momentin kur është aprovuar kjo mbështetje?”, shtoi ai.

Fejza në fund ka theksuar se ai është shkarkuar edhe nga shërbimi civil, gjë që sipas tij është në kundërshtim me të gjitha ligjet e parimet.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen në e-mail, por në të njëjtave më pas fare nuk u është përgjigjur. /Demokracia.com/