DOKUMENT| Gërvalla injoron rekomandimet e komisionit të MPJD-së, pa i plotësuar kriteret i bën konsuj të besuarit e saj

Donika Gërvalla nuk është duke i përfillur as rekomandimet e komisioneve që vetë po i formon kur në pyetje vihet avancimi i të besuarve të saj.

Procesi i rotacionit të diplomatëve që vetë Gërvalla e nisi në shkurt të këtij viti ka “bllokuar”, përkundër që veç pak ditë pasi e nisi këtë proces, ajo e mori raportin me rekomandime.

Ministrja Gërvalla i ka lënë pa shërbime konsullore shumë mërgimtarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Ajo mori nga tri rekomandime për secilin mision dhe sipas ligjit do të duhej ta emëronte ndonjërin prej tyre, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, ajo i ka emëruar vetëm disa prej atyre që rezultojnë se nuk kanë pasur rekomandime të mira nga komisioni dhe janë kandidatë të kontestuar.

Edhe pse disa nuk i kanë plotësuar as kriteret, emërimi i tyre në konsullatat e Kosovës për Gërvallën nuk ka paraqitur fare problem.

Demokracia.com ka siguruar raportin e Komisionit të Rotacionit për vlerësimin e kritereve të përcaktuara në shpalljen e 8 shkurtit të këtij viti.

Deri tash janë lëshuar vetëm disa vendime për emërime, të cilat edhe janë kontestuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve.

Lulzim Iseni është emëruar Konsull në Strasburg për të cilin Demokracia.com ka raportuar se ai është përfitues i gradave në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar në komisionin e gradave.

“Lulzim Hiseni, Ministër Këshilltar – Aplikuesi plotëson kriteret e matshme specifike dhe preferenciale. Ka mungesë të një vlerësimi, por ka përparësi përmbushja e të gjitha kritereve preferenciale si dhe përvojën në diplomaci. Njohja e gjuhës frënge dhe të vendit, përvoja në udhëheqje të misioneve diplomatike dhe ajo në MPJD janë për t’u vlerësuar. Aktualisht në MPJD.”, thuhet në raportin që e ka siguruar Demokracia.com.

Në Milano është emëruar Diamant Kastrati, i cili aktualisht është në vitin e dytë të shërbimit në ambasadën në Romë.

Ligji e përcakton se pas një mandati jashtë vendit, diplomatët mandatin tjetër duhet të shërbejnë në ministri 1 vit.

“Diamant Kastrati, Këshilltar – Aplikuesi i plotëson kriteret specifike dhe ato preferenciale. Ka përvojë menaxheriale në diplomaci dhe shërbime konsullore. Aktualisht në vitin e dytë të shërbimit në Ambasadën e RKS në Romë.”, thuhet në raport.

Edhe pse nuk i ka plotësuar kërkesat, Donika Gërvalla e ka emëruar Sedat Burrnikun në Toronto.

Komisioni kishte vlerësuar se Burrniku i plotëson vetëm pjesërisht kriteret specifike dhe preferenciale.

Komisioni, po ashtu, kishte vlerësuar se Burrniku ka mungesë vlerësimesh në dosje për punën e disa viteve në misione.

“Sedat Burrniku, Ministër Këshilltar – Aplikuesi i plotëson pjesërisht kriteret specifike dhe preferenciale. Ka mungesë vlerësimesh në dosje për punën e disa viteve në misione. Rekomandohet mbështetur në të gjithë pjesën tjetër të plotësimit të kritereve, përvojën institucionale, diplomatike e konsullore. Aktualisht në MPJD.”, thuhet më tej në këtë raport të MPJD-së.

Nga zyrtarët e rekomanduar në raportin që ka siguruar Demokracia.com mungojnë emërimet për në Hamburg, Shtutgart, Frankfurt, Dusseldorf dhe Gjenevë.

Për në Shtutgrat, Gërvalla e ka dërguar pa e mbushur ende një vit në MPJD pas kthimit nga misioni, Kadri Dakajn, i cili njihet për afërsinë me Gërvallën dhe njerëz të tjerë të Listës Guxo.  Dakaj kishte vlerësime negative nga ish-mbikëqyrësja e tij në të kaluarën. Veç kësaj, ai nuk i plotëson as kriteret formale, por sipas komisionit përgatitja profesionale dhe përvoja në shërbim të jashtëm e bëjnë kandidat për t’u marrë në konsideratë.

“Kadri Dakaj, Këshilltar – Aplikuesi i plotëson pjesërisht kriteret formale, përgatitja profesionale dhe përvoja në shërbim të jashtëm e bëjnë kandidat për t’u marrë në konsideratë për pozitën. Vlerësimet 2020 dhe 2019 janë të papranuara si të tilla nga aplikuesi, por përveç shkëmbimit të korrespodencës me mbikëqyrësen bërë në dijeni dhe të NJBNJ, nuk ka proces ankese të iniciuar. Megjithatë, legjislacioni në fuqi përkufizon “kënaqshëm si vlerësim jo-negativ) ndërkohë që shërbimet në misione tjera i ka pozitive. Ka shërbyer në të njëjtin mision mandatin e fundit. Aktualisht në MPJD.”, thuhet për Dakajn.

Por, Gërvalla nuk lë pa e bërë edhe shkelje tjetra, shkruan Demokracia.com.

Ajo e ka emëruar konsull në Frankfurt në fund të mandatit të tij në mision edhe Gëzim Gashin, ndonëse ai nuk ishte rekomanduar nga komisioni.

Praktika e emërimit të konsujve paraqet shqetësim edhe për Shoqatën Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm.

Kjo sindikatë nëpërmjet një letre që i ka dërguar ministres Gërvalla ka kërkuar që të vazhdojë rotacioni për plotësimin e vendeve në misionet diplomatike.

“Të vazhdojë rotacioni për plotësimin e vendeve në Misionet Diplomatike pa anime, paragjykime dhe mangësi të informacioneve apo informacioneve të pabazuara, bazuar në ftesën e hapur për shprehje të interesimit i filluar në shkurt të këtij viti”, thuhet në letrën e sindikatës në MPJD.