gjykata speciale

Dobruna pas intervistimit nga Specialja: Duhet ta vërtetojmë pastërtinë e luftës

Pas gjashtë orëve intervistim, ish-gjykatësi i UÇK-së, Sokol Dobruna, ka dalë nga zyra e Gjykatës Speciale në Kosovë, ku është intervistuar.

“Veprimtaria e Gjykatës ka qenë shumë e shkurt. Prej 16 dhjetorit deri në fund të janarit”, ka thënë Dobruna pasi ka dalë në orët e mbrëmjes nga kjo zyrë.

Dobruna nuk ka treguar nëse është intervistuar si dëshmitar apo i dyshimtë. Ai ka tha se kjo nuk iu është specifikuar.

Ai ka thënë se është paraqitur me vetëdëshirë dhe do të vazhdojë të shkojë sa herë që e thërrasin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Secili e ka për vete. Sipas mendimit tem, duhet me shku edhe me vërtetu pastërtinë e luftës”, ka thënë Dobruna.

Dobruna ka konfirmuar se do të paraqitet nesër dhe pasnesër në zyrën e Dhomave të Specializuar në Kosovë.