“Do të luftojmë deri në fund, granatimet nuk na ndalin”, deputetët britanikë duartrokasin Zelenskyn

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka nisur fjalimin e tij, me video-lidhje, para deputetëve britanikë.

Ai u tha deputetëve se po ju drejtohet si qytetar, si president i një vendi të madh e me një ëndërr, shkruan BBC.

Zelensky ka krahasur luftën e Ukrainës kundër Rusisë me përpjekjet e luftës britanike kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

“Ju nuk donit të humbnit vendin tuaj kur nazistët donin ta merrnin”, thotë ai, derisa shton “dhe ju duhej të luftonit për Britaninë”.

Ai gjithashtu tha se populli ukrainas ka treguar një përpjekje “heroike” kundër forcave ruse.

“Granatimet nuk mund të na ndalin”, tha Zelensky,.

Presidenti ukrainas tha se sanksionet janë të mirëseardhura, por nuk mjaftojnë, derisa shton se duhet të ndalohet fluturimi mbi Ukrainë.

Ai gjithashtu tha se vendimi i Gjykatës së Hagës për të hetuar Rusinë për krime lufte u dha atyre shpresë se do të ketë pasoja për ta, por sipas tij kjo nuk mjafton.

Zelensky shtoi se në luftë kanë vdekur më shumë se 15 fëmijë.

“Ne do të luftojmë deri në fund”, u tha Zelensky deputetëve.

Duke i bërë jehonë fjalimit të famshëm të Churchill të vitit 1940, “ne do të luftojmë në plazhe”, Zelensky tha:

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht nga kostoja. Ne do të luftojmë në pyje, fusha, brigje dhe në rrugë”.

“Ukraina nuk do të dorëzohet dhe ne nuk do të humbasim”, tha ai.