Do apo nuk do, Scholz është kancelar i kohës së luftës

Nga: Constanze Stelzenmüller / The Financial Times

Të hënën, ministrja e pafat e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, dha dorëheqjen në kohën e presionit të madh ndaj vendit të saj për t’ia dhënë Kievit tanket Leopard të luftës. Megjithatë, gjithnjë e më shumë po mbizotëron ndjesia se problemi i vërtetë është te mungesa e udhëheqjes në katin e fundit të Kancelarisë në Berlin.

Posti i Lambrechtit ka qenë gjithmonë puna më e vështirë në kabinetin gjerman: që nga viti 1949 ishin nëntë kancelarë, por pasardhësi i saj do të jetë ministri i 20-të i Mbrojtjes. Gjatë Luftës së Ftohtë, detyra kryesore e Gjermanisë Perëndimore gjysmë-sovrane ishte mbrojtja – me sasi të mëdha të këmbësorisë me blinde dhe me tanke – e kufirit me Gjermaninë komuniste Lindore, kundër ndonjë pushtimi të Paktit të Varshavës. Fantazma përndjekëse e Rajhut të Tretë – ku shërbimet e uniformuara ishin “shtet brenda shtetit” – nënkuptonte krijimin në mënyrë të përpiktë të arkitekturës së mbikëqyrjes civile për të parandaluar ndryshimet e papritura të çfarëdo lloji.

Sinjal ndryshimi ishte rënia e Murit të Berlinit më 1989, ribashkimi të Gjermanisë më 1990, shpërbërja e Paktit të Varshavës dhe e BRSS-së më 1991 – dhe apatia 30-vjeçare e ministrave perëndimorë të Mbrojtjes. Por, gjermanët në mënyrë unike e keqkuptuan supozimin e “fundit të historisë” (nga fraza e historianit Francis Fukuyama) dhe zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së e panë si dëshmi të pacifizmit të tyre të pasluftës. Një pjesë e Partisë Socialdemokrate (SPD) dhe e të Gjelbërve bënin thirrje për pakësim të buxhetit ushtarak: shfuqizoni forcat e armatosura! Shpërbëjeni NATO-n!

Por, sulmet e Al-Kaidës në Amerikë më 11 shtator 2001 e detyruan NATO-n të rigrupohet për “luftën globale kundër terrorit”; vendet anëtare u sugjeruan të zvogëlojnë dhe rrënjësisht t’i profesionalizojnë forcat e tyre të armatosura për ekspeditat e luftërave të jashtme. Aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, i shtyu aleatët që t’i rikthehen mbrojtjes së Evropës dhe të zotohen – në një samit të NATO-s në Uells – të rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes në dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shumica e ministrave të Mbrojtjes të Gjermanisë u pajtuan të lëvizin në prapavijë të këtyre zigzagëve të konsensusit perëndimor për sigurinë. Ata pak që u munduan për t’i çuar para gjërat (së fundmi, paraardhësja e Lambrechtit, Annegret Kramp-Karrenbauer) u penguan nga një grup këmbëngulës dhe kryesisht dypartiak i forcave të inercisë: burokracia, gjeneralët, kryetarët e bashkive, industria e mbrojtjes, ligjvënësit, madje edhe kancelari.

Tri ditë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kancelari gjerman Olaf Scholz mbajti një fjalim të fuqishëm në të cilin u zotua të qëndronte përkrah Kievit. E shpalli kthesën historike (Zeitenwende) për politikën gjermane të sigurisë dhe për forcat e saj të armatosura, së bashku me një fond të investimit të veçantë prej 100 miliardë eurove. Kjo mund ta përcaktonte madhështinë e Lambrechtit. Në vend të kësaj, ajo mund të konsiderohet si ministrja më e keqe e Mbrojtjes e vendit të vet: indiferente ndaj një vargu gabimesh dhe e pa takt deri në vrazhdësi.

Por, ky dështim nuk i takon vetëm Lambrechtit, por edhe Scholzit, i cili me kokëfortësi refuzoi të pranonte zonën e kaptuar nga kaosi në Ministrinë e Mbrojtjes. As përgjegjësia për të përmirësuar diçka nuk do të bie vetëm mbi pasardhësin e saj Boris Pistorius, ministër i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme, i cili vlerësohet më mirë dhe që është i afërt me Scholzin, por që nuk ka përvojë në mbrojtje.

Scholzi erdhi në pushtet duke premtuar ndryshime transformuese për një Gjermani më të pasur dhe më të vetëkënaqur pas një paqeje të gjatë. Ai tani duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke u përballur me krizën më të keqe të sigurisë që Evropa ka parë që nga viti 1945.

Berlini ia doli mbanë të realizojë shkëputjen e plotë nga importet e karburanteve fosile ruse, për më pak se një vit. Në mbrojtje, rezultati i tij është shumë më pak mbresëlënës. Automjetet luftarake Puma, të premtuara për NATO-n, rezultuan të jenë me defekt. Gjermania ia ka dhënë Kievit armët e fuqishme dhe efektive – por, gjithmonë me vonesë dhe pa dëshirë; ajo ende po i mban tanket kryesore të fushëbetejës, Leopard, të cilat Qeveria Zelenskyy i kërkon.

Trembëdhjetë shtete anëtare të NATO-s operojnë me tanket Leopard të luftës, të cilat janë të prodhimit gjerman, por që Berlini e ka të drejtën e vetos për eksportin e tyre. Polonia dhe Finlanda tashmë kanë njoftuar se duan t’i dërgojnë disa prej tyre në Ukrainë. Mbretëria e Bashkuar po premton disa nga Challenger-ët e saj. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, do të pritet të enjten në Berlin përpara një takimi të rëndësishëm të së premtes – me furnizuesit e armatimit perëndimorë për Ukrainën – në bazën Ramshtajn. Refuzimi i vazhdueshëm gjerman vështirë se mund të paramendohet më.

Imazhet e tmerrshme nga sulmi raketor i Rusisë ndaj një ndërtese banimi në Dnipro dhe masakrimi i ushtarëve të saj në llogore po i shtojnë rreziqet, por jo vetëm për Ukrainën. Scholz nuk e nisi punën si kancelar i kohës së luftës. Por, tashti kjo është puna për të cilën do ta gjykojë historia. /Telegrafi/