Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa në intervistë për emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka rrëfyer momente të dhimbshme për të kaluarën e tij.
Besiani është edhe biri i veprimtarit vrarë të LDK-së, i cili edhe kishte qenë zëdhënës i LDK-së gjatë viteve të ‘90, Xhemail Mustafa.
Ai thotë se në vitet kur ishte 16-vjeç, me babin nuk kishte pasur shumë biseda për politikën apo situatën e kohës, por vetëm për historinë e popullit shqiptar.
“Babai nuk dëshironte që situatën e zymtë të Kosovës të reflektonte edhe të unë, si adoleshent që isha”, rrëfen Beriani.
I biri i Xhemajl Mustafës, rrëfen momentin kur ai e kuptoi se babai i tij ishte plagosur dhe që më pas nuk kishte arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Momentin kur e kanë vrarë babin unë isha në shkollën “Sami Frashëri” duke vijuar mësimet. Kanë ardhur të më marrin motra Besiana me drejtorin e shkollës në atë kohë, dhe si 16 vjeçar unë nuk e dija çfarë po ndodhte. Në veturë më treguan se babai ishte plagosur-kjo ishte informata që e kishim në ato momente. Jemi kthyer te banesa në Dardani. Kishte ardhur një policë i UNMIK-ut dhe më kishte pyetur nëse unë dija anglisht. Pasi unë i kisha thënë po, ai më kishte thënë ngushëllime babai juaj nuk ka arritur të mbijetojë”, rrëfen Beriani momentin që ai e konsideron më të vështirin në jetë.
“Edhe pse kishim dhimbje të madhe, nuk dinim si të vepronim pasi banesën tonë e kishin vërshuar media të ndryshme ndërkombëtare. Ata na thonin se e kuptojmë se keni dhimbje të madhe, por bota duhet të dijë se çfarë ka ndodhur sot në Kosovë”, tregon më tej Beriani.







