Kosova ka mbetur pa ambasadorë në shumë shtete, duke përfshirë këtu Shqipërinë, Britaninë e Madhe, Austrinë, Australinë, Suedinë dhe Arabinë Saudite.
Derisa nga MPJ-ja thonë se po punohet në këtë drejtim, ekspertët vlerësojnë se kjo gjë e dëmton rëndë politikën e jashtme të Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.
Diplomacia kosovare përveç dështimeve të njëpasnjëshme në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe mossigurim të njohjeve po përballet edhe me mungesë të një numri të madh të ambasadorëve në disa qendra vendimmarrëse evropiane, si dhe në ato rajonale.
Kosova aktualisht nuk ka ambasadorë në Shqipëri, në Britani të Madhe, në Arabinë Saudite, në Austri, në Australi e në Beograd.
Po ashtu Ambasada e Kosovës në Londër ka disa muaj që ka mbetur pa ambasador, njëjtë siç ka mbetur edhe ajo në Suedi.







