Digjen 8 vetura për 3 ditë| A po rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve të 23 prillit në veri?

Tetë vetura të serbëve lokal, të regjistruara me targa RKS janë djegur në 3 ditët e fundit në veri të vendit. Krejt kjo kur kemi hyrë në muajin e zgjedhjeve atje. Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet, e Lista Serbe nuk është regjistruar fare në KQZ, duke bojkotuar procesin. Veturat e serbëve të Kosovës po digjen, ambasadorë e zyrtarë të shtetit i kanë dënuar sulmet, Lista Serbe nuk do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor, nga KQZ thonë se kanë bërë përgatitjet e Presidenca paralajmëron Vuçiqin. 

Vetëm në 3 ditët e fundit janë djegur 8 makina, në raste të ndara në veri të vendit. E fundit, ndodhi në mesnatën e 1 prillit, ku u dogjën 3 sosh.

Blerim Vela Këshilltari i Presidentes ishte i pari, madje edhe para Policisë që reagoi për djegien e 3 veturave në Leposaviq.

Vela ka paralajmëruar Vuçiqin, se “Regjimi piroman” i tij do të dështojë.

“3 vetura të tjera të djegura në Leposaviq. Të diskredituara dhe me mbështetjen e pakësuar nga serbët e Kosovës, strukturat ilegale të Serbisë po përdorin taktika kriminale dhe terrorizuese. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë dhe çdo fajtor do të sillet para drejtësisë. Regjimi piroman i Vuçiqit do të dështojë.” – ka shkruar Vela.

Orë më vonë se Vela edhe Policia e Kosovës, doli me deklaratë më të detajuar në lidhje me djegien e këtyre tri veturave mesnatën e 1 prillit, çka e dërgoi në 8 numrin e veturave të djegura në vetëm 3 ditët e fundit.

“Më 1 prill 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur, në dy rate të ndara, janë djegur tri vetura që iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb.

Njëri rast ka ndodhur, më 1 prill 2023, në orët e hershme të mëngjesit (3:40h), në Leposaviq, afër çerdhes së fëmijëve, ku veturat ishin të parkuara skaj rruge. Një veture me targa RKS i është vënë zjarri, po ashtu nga zjarri është përfshirë edhe një veturë tjetër me targa të Beogradit që ishte afër veturës me targa RKS. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit që kanë fikur zjarrin.

Rasti tjetër ka ndodhur po ashtu në Leposaviq, afër qendrës së sporteve, ku një veturë me targa RKS është djegur nga persona të dyshuar.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Tutje Policia e Kosovës ka thënë se është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në lidhje me rastet e fundit.

Reagime për dënimin e këtyre sulmeve në veri të vendit, pati nga të gjitha ambasadat e vendeve të QUINT-it, duke e quajtur kriminale këtë sjellje e duke kërkuar hetime të shpejta e efikase.

Sa i përket Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve gjithqka është duke shkuar drejt përgatitjes së procesit zgjedhor. Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së, në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se KQZ është duke vazhduar më përgatitjet e se i inkurajon qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, ta shfrytëzojnë atë, për t’’i zgjedhur kryetarët në këto komuna.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 prillit dhe ne inkurajojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq apo Zubin Potok si dhe anëtarët në kuvendin komunal të Zveçanit apo Leposaviqit.” – ka thënë Elezi.

E nga Lista Serbe, ditën kur paralajmëruan se nuk do të marrin pjesë, e kur iku edhe afati ligjor për t’u regjistruar, pati disa fjalë edhe për KQZ-në.

Sipas tyre, KQZ po organizon zgjedhje të njëanshme.

“Kjo e bën më se të qartë se Prishtina dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb” – thuhej në reagimin e LS.

Por, veprimet si këto të fundit, të djegieve të veturave, kanë ngjallur reagimin e shumë akterëve, duke e lidhur herë pas here edhe me zgjedhjet që pritet të mbahen në veri të vendit me datë 23 prill.