Devollët: Telekomi ka përfituar nga Z-Mobile

Përmes një komunikate për media, ata kanë thënë se Telekomi ka përfituar nga Z-Moblile, dhe se shihet edhe në bazë të dokumenteve. Thonë se asnjëherë nuk e kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës në asnjë formë.

Kjo është komunikata e plotë:

Telekomi ka përfituar nga Z Mobile, të gjitha dokumentet e tregojnë këtë.

Edhe një herë sot përfaqësuesit e Z Mobile i janë përgjigjur kërkesës për sqarime shtesë për kontratën që kjo kompani ka me Telekomin e Kosovës.

Këtu do cekur, se marëveshja Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës, është marrëveshja më e hetuar në Republikën e Kosovës (gjykimi i EULEX-it, Arbitrazhi Ndërkombëtar), kurse ne si palë, asnjëherë nuk kemi hezituar të japim të gjitha përgjigjjet që na janë kërkuar në çdo kohë për këtë marrëveshje.

Edhe sot, z. Blerim Devolli, bashkë me ekipin e tij, është përgjigjur në interesimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetim të Telekomit, duke ofruar përgjigje dhe dëshmi me shkrim për të gjitha çështjet e shtruara nga deputetët.

Me këtë rast, ju lutem gjeni të bashkëngjitur edhe pasqyrën e Tregut të Komunikimeve Elektronike, të nxjerrë nga raportet e audituara financiare të Z Mobile dhe raportet e ARKEP, ku tregohet se cili ishte qarkullimi dhe përfitimet nga numrat e MNVO nga viti 2010 deri 2018.

Nga këto raporte të audituara shihet se të hyrat e Z Mobile për këtë periudhë kanë qenë 60,437,000, prej të cilave vetëm 5,065,000 i kanë mbetur Z Mobile para tatimit, kurse përfitimi i Telekomit ka qenë më shumë se katër fish më i madh, saktësisht 22,458,000, ndërsa shpenzime operative kanë qenë 32,914,000.

Gjithashtu, do theksuar përsëri se Z Mobile në asnjë formë nuk e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës, ashtu siç pretendohet të paraqitet nga qarqe të caktuara.

Për të gjitha përqindjet e pjesëmarrjes në treg, transaksionet, raportin e fitimeve dhe shpenzimeve dhe çështje të tjera që janë të ndërlidhura me këtë kontratë ka dokumente dhe dëshmi, të cilat ne edhe sot i paraqitëm para komisionit parlamentar dhe nuk do të hezitojmë ti paraqesim në secilën situatë.

(Bashkangjitur: Pasqyra e Tregut të Komunikimeve Elektronike, nga raportet e audituara financiare të Z Mobile dhe raportet e ARKEP).