Dështon seanca ndaj “Currit” e të tjerëve

Për shkak se mbrojtësit e të akuzuarve Ismet Osmani, Sami Nika, Ilir Bojku, Mentor Maqani dhe Adil Thaqi, avokatët Besnik Berisha, Naser Sopjani, Ilaz Rudaku, Naim Rudari dhe Artan Qerkini, kanë kërkuar që të pajisen me të gjitha shkresat e lëndës nga ana e prokurorisë, para deklarimit rreth fajësisë, ka dështuar seanca e së premtes.

Ismet Osmani, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani pretendohet nga ana e organit të ndjekjes se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”, raporton Betimi për Drejtësi.

Pasi mbrojtësit kanë deklaruar se janë pajisur pjesërisht me shkresa të lëndës dhe se konsiderojnë që nuk mund të procedohet tutje me seancën fillestare, kjo seancë është ndërprerë.

Kjo pasi sipas gjykatëses Medie Bytyqi, nuk janë plotësuar kushtet për të vazhduar më tutje shqyrtimin fillestar për shkak se të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre nuk janë pajisur me shkresat e lëndës në tërësi.

Paraprakisht, pas konstatimit të prezencës së palëve në procedurë e marrjes së të dhënave personale të të akuzuarve, gjykatësja Bytyqi ka pyetur prokurorin Armend Hamiti se a i ka përmbushur prokuroria detyrimet e saj në raport me mbrojtjen për pajisje me shkresa të lëndës.

Ndërkaq, prokurori Hamiti ka thënë se prokuroria ka përmbushur detyrimet e saj.

Mirëpo, mbrojtësit e të akuzuarve kanë deklaruar se ata nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Avokati Besnik Berisha, që mbron Ismet Osmanin ka deklaruar se në raport me klientin e tij, obligimi i prokurorisë është plotësuar pjesërisht.

“Është fakt se kolegëve paraprak u është dorëzuar një CD, të cilën e kam ekzaminuar me kujdes dhe e kam përballur me listën e provave që gjenden në aktakuzë dhe kam konstatuar se mungojnë të gjitha deklaratat e bashkë të pandehurve”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Tutje, ka thënë se mungojnë urdhëresat për masat e fshehta të vëzhgimit e hetimit, më saktësisht urdhëresat për përgjimet e transkriptuara dhe dorëzuara si provë.

“Mungojnë dëshmitë e dëshmitarëve pothuajse 2/3 e tyre. Andaj, për këtë arsye konsiderojmë se obligimi i prokurorisë nuk është përmbushur plotësisht, provat që mungojnë kanë rëndësi thelbësore për procedurën më tutje dhe rrjedhimisht sa i përket klientit tim nuk ka kushte që ky shqyrtim të procedojë”, ka thënë Berisha.

Njëjtë sikurse Berisha, edhe avokati Naser Sopjani që mbron të akuzuarin Ilir Bojku tha se kanë pranuar një CD me disa materiale, të cilat janë selektuar nga ana e prokurorisë sipas vlerësimit të saj që ato janë provat e mjaftueshme për të ofruar mbrojtjen apo për ta bërë mbrojtjen e duhur Ilir Bojku.

“Ne si mbrojtje e kemi të nevojshme që të pajisemi me të gjitha materialet e kësaj lënde sepse sipas vlerësimit tonë ne besoj se do ta bëjmë vlerësimin dhe shqyrtimin e atyre materialeve që na nevojiten për të ofruar mbrojtjen”, ka thënë ai.

Sipas tij, sigurimi i këtyre materialeve, detyrimisht i paraprin edhe deklarimit lidhur me fajësinë dhe zhvillimin më tutje të kësaj procedure.

Edhe avokati i Sami Nikës, Ilaz Rudaku tha se kanë pranuar një CD me prova që konsiderojnë se janë të mangëta.

Avokati Rudaku tha se konsiderojnë se deklarimi i të mbrojturit të tij, Sami Nika, për sa i përket fajësisë, tani është e pamundur dhe propozojnë që pas pajisjes me komplet shkresat e lëndës brenda një afati optimal kohor do të mund të deklarohen.

Edhe avokati Naim Rudari, mbrojtës i Mentor Maqanit ka thënë se kanë pranuar një CD me materiale, të cilat përmbajnë një pjesë të provave, e që fillimisht me rastin e pranimit nuk e dinë se çfarë provash disponon prokuroria, por se shihet se ka mungesë të provave në CD.

“Dhe meqenëse Mentor Maqani në dispozitivin 3 të aktakuzës akuzohet se ka kryer veprën penale si i vetëm por në përmbajtje thuhet se në lidhje me dispozitivët e tjerë të aktakuzës ose të akuzuarit tjerë kinse ai ka kryer veprën penale si rezultat me të akuzuarit e tjerë, atëherë është e nevojshme që të kemi të gjitha provat dhe deklaratat që disponon prokuroria”, ka thënë ai.

Avokati Artan Qerkini, mbrojtës i Adil Thaqit, ka deklaruar se kanë pranuar një CD nga prokurori, mirëpo theksoi se ekziston një dallim i madh në mes të provave, të cilat gjenden në CD dhe provave që janë propozuar të administrohen.

Sipas tij, neni 241, paragraf 1.6 i KPRK-së, përcakton qartë se është obligim i prokurorisë që në aktin akuzues të paraqes rekomandimin për provat që duhet prezantuar në shqyrtim gjyqësor së bashku me emrat e dëshmitarëve , shkresat që duhet lexuar dhe sendet që duhet të merren si prova.

“Ne në aktakuzë kemi vetëm emrat e dëshmitarëve, ne nuk e dimë zyrtarisht tani vetëm këto janë prova dëshmitarët, por nëse ne e lexojmë pjesën e arsyetimit të aktakuzë, aty prokurori u referohet edhe provave të tjera, por nuk i ka propozu që të administrohen. Ne duhet ta kemi të qartë se a po deklarohen vetëm për këto prova që janë pjesë e akuzës që janë propozu të administrohen në shqyrtim gjyqësor apo për provat që janë në CD”, ka thënë ai.

Ai shtoi se në lidhje me aktvendimet e lëshuara nga gjykata, për masat e fshehta, duhet ta dinë se nga kush do t’i pranojnë ato aktvendime sepse ato nuk janë provë, por janë veprime procedurale të gjykatës.

“A do t’i pranojmë ato nga gjykata apo prokuroria, sepse prokuroria ka për obligim të na pajisë me prova. Konsideroj se pa u sqaruar këto çështje, klienti im është në pamundësi objektive që të deklarohet lidhur me fajësinë”, ka thënë Qerkini.

Kurse, prokurori Armend Hamiti tha se është fakt se në CD që u është dhënë mbrojtësve bart materialin që për secilin të akuzuar t’i ketë provat, në të cilën bazohet akuza dhe të përgatitet mbrojtja e tyre në raport me të pandehurit secilin veç e veç.

Ai tha se duke pasur parasysh se nga hetimet që janë zhvilluar ka të dhëna që konsideron se janë shumë personale që kur kanë të bëjnë me një të pandehur dhe jo me të gjithë, nuk janë pajisur të tjerët për shkak të ruajtjes së privatësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

“CD me prova u është dorëzuar mbrojtëse para seancës së kaluar. Si prokurori jemi të hapur, do t’i shqyrtojmë edhe njëherë provat dhe në rast se mungon ndonjëra me të njëjtën do të pajisen gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre”, ka thënë ai.

Avokati Besnik Berisha deklaroi se kërkojnë që provat e njëjta që janë dorëzuar në gjykatë t’i kenë saktësisht edhe mbrojtja.

“Kërkojmë m’i pas të njëjtat mos me konsideru këta vetëm cilat janë relevante”, ka thënë ai.

Më pas, gjykatësja Medie Bytyqi ka obliguar prokurorin që të akuzuarit dhe mbrojtës e tyre t’i pajisë me të gjitha shkresat e lëndës në këtë çështje penale brenda 8 ditësh.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 1 prill 2022.

Sipas aktakuzës së 19 nëntorit 2021, të pandehurit Sami Nika, Ismet Osmani dhe Ilir Bojku, në periudhën e fundvitit 2013 deri në shtator 2015, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Dalladaku për shkak të borxhit të marrë në qershor 2012, në shumë 350 mijë euro (nga të cilat 100 mijë euro transfer dhe 250 mijë euro në dorë), me çka i pandehuri Nika dhe i dëmtuari lidhin një kontratë mbi shitblerjen e paluajtshmërisë-shtëpisë, lokacioni qytezja Pejton-Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nika e evidenton në kadastër si pronë të tij, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të Dalladakut, me rastin e dhënies së parave e ngarkon duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ashtu që me kamatë 7% e cila gjatë dy muajve në vijim i pandehuri Nika nga i dëmtuari Dalladaku merr kamatën në shumë prej 50 mijë euro.

Tutje, thuhet se të pandehurit Nika, Osmani dhe Bojku shtojnë presionin ndaj të dëmtuarit Dalladaku dhe me këtë rast këta në bashkëpunim duke kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, ia japin Sahit Paraqarizit shumën prej 250 mijë euro, sepse toka prej 3 hekatarësh në magjistralen Prishtinë-Ferizaj 8 km, nga Prishtina, e cila kishte vlerën prej 600 mijë euro ishte e Paqarizit, ashtu që ai e bëri bartjen e pronësisë të kësaj toke.

Ndërsa, thuhet se për të njëjtën shumë pra 600 mijë euro (250 mijë euro plus 350 mijë euro) e ngarkojnë të dëmtuarin Dalladaku si borxh i ri, por gjithnjë në bashkëpunim edhe më tej të pandehurit e mbajnë në posedim shtëpinë e Dalladakut sipas kontratës me të akuzuarin Nika.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Fajde”.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se të akuzuarit Nika, Osmani dhe Bojku, pasi në periudhën e fillimvitit 2014, i dëmtuari Dalladaku dështon në kthimin e shumës fillestare 350 mijë euro, i pandehuri Nika në bashkëkryerje me Osmanin e Bojkun, përdorin kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij.

Tutje, thuhet se kanë shkuar fillimisht në lagjen “Pejton”, ku është prona e cila ishte objekt i shitblerjes mes Nikës e Dalladakut, dhe kanë hyrë në shtëpi, me këtë rast, me veprime kërcënuese dhe me tone të ashpra kanë komunikuar me dëshmitarin Muharrem Hajdaraj dhe Gazmend Qelaj, punëtorë në firmën “Design Factory” që kishte zyrat aty.

Në aktakuzë thuhet se Osmani kontrolloi në zyrë duke hapur derën e zyrës së Dalladakut, por i njëjti i frikësuar për jetë ndal dritën dhe fshehet në tualet, pastaj të pandehurit tentojnë që me forcë të marrim çelësin e shtëpisë nga Hajdaraj, i cili edhe pse pati kërcënime në adresë të vet dhe të Dalladakut, fillimisht refuzoi t’ua japë, por pas këmbëngulësisë dhe ashpërsisë së sjelljes së tyre, detyrohet t’ua japë.

Tutje, thuhet se pas disa muajsh të tre të pandehurit e detyrojnë të dëmtarin Dalladaku t’ua japë një pronë në sipërfaqe 3 hektarësh në lokacionin afër QMI, vlera e së cilës është rreth 900 mijë euro, por për borxhin e arritur i llogaritet vetëm 700 mijë euro, e me këtë rast Nika nuk ia kthen shtëpinë Dalladakut, por vazhdon që ta mbajë edhe më tutje në emrin e tij, ashtu që në vitin 2017, sipas një marrëveshje, të njëjtën ia shet Adil Thaqit në shumë prej 260 mijë euro.

Për këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”.

Tutje, i pandehuri Mentor Maqani, në shtator të vitit 2015, thuhet se kontrakton një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare në këmbim të shërbimit, duke hyrë në marrëveshje verbale me të dëmtuarin Dalladaku që të blejë pronën 5 hektarësh afër QMI-së, në të cilën i pandehuri Dalladaku kishte një leje ndërtimi për spital, e që me kapital të tij veçse kishte ndërtuar 1 plus 3 kate me investim rreth 1 milion euro duke i paguar 700 mijë euro për këtë pronë në emër të blerjes së aksioneve për spitalin “Intermed”.

Tutje, thuhet se marrëveshja ishte që i akuzuari Maqani të blinte borxhin prej 450 mijë euro nga të pandehurit Nika, Osmani dhe Bujku të paraqitur në dispozitivin II duke e liruar nga ky borxh të dëmtuarin Dalladaku, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante Dalladakut dhe me datën 5 shtator 2015, i pandehuri Maqani ia transferoi shumën 100 mijë euro Dalladakut dhe ia dha dy vetura në vlerë prej 150 mijë euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajde”.

Dispozitivi i katërt i aktakuzës thotë se i pandehuri Maqani në muajin mars 2016, njëanshëm ndërpreu marrëveshjen verbale të cekur më lartë dhe ia ka marrë të dy veturat të dëmtuarit Dalladaku, ia ka llogaritur 80 mijë euro shfrytëzim të veturave dhe punën e kompanisë “Albioni” dhe duke përdorur kanosjen serioze kërkoi mbetjen prej 582 mijë euro prej të dëmtuarin Dalladaku.

Këtë thuhet se e ka bërë ashtu që e ka detyruar të njëjtin të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, të pranojë imponimin, se ka obligim ndaj Maqanit dhe i dëmtuari Dalladaku bie në kontakt me Adil Thaqin që të jetë ndërmjetësues tek Maqani për shtyrje të afatit të borxhit.

Fillimisht thuhet se me Thaqin arrihet marrëveshje verbale që borxhi i imponuar 582 mijë euro të shtyhet deri në natën e fundit të vitit 2017 dhe po ashtu me datë 30 maj 2017 bëhet një marrëveshje lidhur me shtëpinë në Pejton ku Thaqi ia pagoi Nikës 260 mijë euro me kusht që nëse Dalladaku nuk arrin të paguajë këtë borxh, Dalladaku merret vesh me Nikën dhe Thaqin që shtëpia në Pejton t’i shitet Thaqit.

Me këtë, Maqani akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi”.

Ndërkaq, në dispozitivin e fundit të aktakuzës, thuhet se në janar të vitit 2018, i pandehuri Thaqi, i cili ishte si ndërmjetësues, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten e mashtron të dëmtuarin Dalladaku se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse nga transaksionet financiare shihet se nuk kishte të holla 260 mijë euro për pagesën e kryer për Sami Nikën.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Prokuroria ka propozuar që të konfiskohen pasuritë e luajtshme që janë objekt i urdhrit nga neni 273 dhe urdhrit për ndalim afatgjatë nga neni 266 të KPP-së të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, të cilat kanë rrjedhë si rezultat i veprave penale dhe kjo pronë t’i kthehet pronarit tani të ligjshëm, të dëmtuarit Dalladaku si në vijim: parcela me adresë rruga “Perandori Justinian” në Prishtinë, me sipërfaqe 446 metra katror.