Kryetari

Dështon ideja e Agim Bahtirit, nuk bashkohet Mitrovica

Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal nuk ka përfillur kërkesën e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për bashkimin e Mitrovicës në një komunë dhe nuk ka lejuar që kërkesa të kalojë te Qeveria e Kosovës. Paralajmërohet nënshkrimi i një peticioni të qytetarëve të Mitrovicës.

“Nuk bashkohet Mitrovica” është përgjigjja të cilën Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ia ka dhënë kryetarit të Komunës Jugore Agim Bahtirit, i cili edhe e kishte iniciuar idenë për bashkimin e Mitrovicës pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës Veriore Goran Rakiq. Bahtiri para dy javësh pati thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në të cilën kishte kaluar iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës në një komunë.

Bahtiri kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shfuqizojë vendimin për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna dhe ribashkimin e qytetit pas vendimit të pjesës veriore që të ndërpresë komunikimin me Republikën e Kosovës. Kërkesën Bahtiri e kishte dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ministër i së cilës është Ivan Teodosijeviq, kryetar paralel i Zveçanit dhe kishte kërkuar që atë ta përcjellë te Qeveria e Kosovës. Por Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ka stopuar kërkesën e Bahtirit dhe ka njoftuar Komunën e Mitrovicës dhe kryetarin Bahtiri se kërkesa e tij është shqyrtuar përbrenda MAPL-së.

Me këtë përgjigje nuk është pajtuar Bahtiri, i cili ka reaguar nëpërmes një deklarate të hënën. Ai ka thënë se kërkesa i është drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe jo Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. “Ia bëj me dije MAPL-së se nuk keni të drejtë ta shqyrtoni në brendësi kërkesën tonë, për arsye se nuk u është drejtuar institucionit të tyre (MAPL-së), por i është drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe ata pa të drejtë kanë stopuar kërkesën tonë drejt rrugës së Qeverisë së Kosovës e kjo nënkupton një frymë politike dhe aspak profesionale. MAPL-ja, e cila monitoron edhe kuvendet komunale për vendimet e marra dhe në bazë të ligjit kthen edhe konfirmimet për ligjshmëritë e vendimeve, por nuk ka të drejtë të stopojë ligjërisht një kërkesë, e cila i adresohet një organi tjetër për shqyrtim pa e shikuar thellësinë e kërkesës”, thuhet mes tjerash në reagimin e Bahtirit.

Ai më tej ka paralajmëruar se nëse kërkesa nuk merret parasysh do të organizojë peticion për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve të Mitrovicës. “Nuk do të ketë organ që do ta ndalë iniciativën dhe vullnetin e mirë të qytetarëve që kjo kërkesë të delegohet tek organet kompetente, të thirrura për miratimin e ligjeve të Kosovës. Po ju paralajmëroj që nëse kjo kërkesë pengohet joligjërisht, atëherë do t’u drejtohem qytetarëve për realizimin e një peticioni i cili do të ketë me qindra e mija nënshkrime. Këtë gjë nuk kam dashur ta bëj më herët sepse unë kam zgjedhur mënyrën institucionale ku përmes Kuvendit Komunal, i cili përfaqëson edhe zërin e qytetarëve, këtë kërkesë e kemi adresuar tek institucionet qendrore”, ka thënë ai.

Të njëjtat fjalë Bahtiri i ka shprehur edhe në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, që është mbajtur të hënën. Kryetari Bahtiri ka ripërsëritur se i kishte ofruar ndihmë tashmë ish-kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, por ai nuk kishte përfillur asnjë nga kërkesat e shqiptarëve në veri. Bahtiri madje ka akuzuar Rakiqin gjersa ka përmendur faktin se ura e Ibrit nuk po hapet pikërisht për shkak të obstruksioneve të Rakiqit. Bahtiri ka thënë gjithashtu se nga veriu i Mitrovicës janë shpërngulur mbi 15 mijë shqiptarë, të cilët jetojnë në jug si refugjatë në qytetin e tyre.

“Rakiq ka qenë çdoherë ai që nuk i ka përfillur kërkesat tona dhe të qytetarëve, ku shqiptarë janë shumicë. E di që 15 mijë shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. A ka më vështirë të jesh refugjatë në komunën tënde. Jam në një situatë tejet të rëndë. Nuk ka më vështirë se ta shohësh shtëpinë tënde e të mos banosh aty. Rakiq nuk ka lejuar që shqiptarët të kthehen në shtëpitë dhe në banesat e tyre në veri të Mitrovicës”, ka ripërsëritur kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri.