Dërguti: Gjykimin e rastit të Ferizajt e duam publik

Ish-deputetja, Aida Dërguti ka kërkuar që gjykimi për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj të jetë publik.

Ajo ka kërkuar që ky gjykim të bëhet në transmetim të drejtpërdrejtë.

“Gjykimin e rastit të Ferizajit e duam publik, në transmetim të drejtpërdrejtë!”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje për arrestimin e Dardan Krivaqës, të dyshuarit kryesor në vrasjen e M.O, 18-vjecare nga kjo komunë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, Krivaqa është arrestuar sot rreth orës 12:05.

 “Prokuroria Themelore në Ferizaj, , njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj,  sot rreth orës 12 e 05 minuta, është arrestuari edhe personi i dytë i dyshuar (D,) në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, Krivaqa është arrestuar në një fshat të Ferizajt, e tutje, shtojnë se i njëjti po dërgohet në stacion policor.

Dardan Krivaqa është i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, M.O, që të dielën është dërguar pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt.

I arrestuar si i dyshuar për këtë rast është edhe Arbër Sejdiu që është arrestuar dy ditë më parë.

Ndaj tij sot prokuroria ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.