Deputetja e pushtetit i bien pak pishman, s’është më për mbylljen e RTK’së

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku është tërhequr nga ideja për mbylljen e RTK’së anipse një ditë më parë shpërndau një qëndrim të një anëtari të shoqërisë civile që bënte thirrje të mbyllej televizioni publik.

Sot, deputetja e VV’së ka thënë se RTK s’duhet mbyllur por duhet të ndryshojë.

“Sindikata e RTK-së duhet të protestojë kundër politikave redaktuese dhe të insistojë që të rikthehet ligjshmëria në këtë medium publik, që më së paku është i publikut. Pra ndryshim, jo mbyllje, është mendimi im personal”, ka shkruar Kollçaku.

“Z. Demi ne komentin e vet e ka cekur se me 11 milionë euro do të blenim maska dhe dezinfektues dhe kjo është ajo që më pëlqeu, sepse mjetet publike duhet të shpenzohen në të mirë të përgjithshme, e jo për interesa grupore dhe klanore”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, Agron Demi, ka thënë se për keqmenaxhuesit e RTK’së duhet të hapet një repart burgu.

“Pas këtij reagimi të këtyre pakurrizorëve, një korigjim: jo veç me e mbyllë, por një repart burgu me mbushë me të gjithë ata që kanë zhvatë miliona euro prej RTK e janë përgjegjës për punësime pa asnjë kontrolle”, ka shkruar Demi në reagim.

Të shtunën, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku e cila shpërndau ditë më parë citatet e analistit serb për Kurtin ka bërë edhe një tjetër veprim në FB. Ka shpërndare një thirrje për mbylljen e RTK’së. Nuk dihet nëse qëndrimi i deputetes së VV’së është edhe qendrim i Qeverisë.

Analisti Agron Demi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka kërkuar që të mbyllet Radio Televizioni i Kosovës, duke thënë se me paratë që shpenzohen për RTK’në, mund të blehen maska e dezinfektues për banorët.

“Nëse televizioni publik nuk arrinë me qenë me publikun as në këso rastesh, po me na infektu me propagandë të flliqtë, ku është arsyeja me ekzistu një medium publik? Me qato 11 milionë euro, blejmë maska e dezinfektues të duarve për 2 milionë banorë’, ka shkruar Demi.

Mendim të njejtë për RTK’në duket se ka edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, e cila e ka shpërndarë këtë shkrim në llogarinë e saj në Facebook

Ndryshe, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar dje duke thënë se i dënon ashpër thirrjen e njërit prej drejtuesve të Institutit GAP, Agron Demi i cili mbrëmë në rrjetin social FCB ka bërë thirrje për mbylljen e RTK-së sepse nuk i paska pëlqyer një emision i transmetuar.

“Edhe më shqetësues është fakti se këtë thirrje e ka shpërndarë edhe deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Mullhaxha- Kollçaku e cila është deputete e Kuvendit të Kosovës, njëherësh themeluesit të RTK-së. Kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës ta dënoj këtë thirrje qëllimkeqe dhe të distancohet nga deputetja Kollçaku. Po ashtu kërkojmë nga Vetëvendosje që të distancohet nga kjo thirrje për mbylljen e RTK-së.

Ju rikujtojmë se kohën e fundit është duke u bërë presion i vazhdueshëm mbi RTK-në, kur para pak ditësh Qeveria e Kosovës e ka përgjysmuar buxhetin edhe ashtu të vogël të RTK-së. Sindikata ju bënë me dije kujtdo që ka këtë qëndrim ndaj RTK-së, se kjo dëshirë e këtyre individëve nuk do të arrihet kurrë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së RTK’së.