Deputeti i PDK-së akuzon për mashtrim kryeministrin dhe shoqatën e veteranëve

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti u dekorua me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas.

Dekorata e dhënë më 13 maj, bëri deputetin e PDK-së, Hisen Berisha të reagojë pas tri ditësh.

Megjithatë, reagimi i tij nuk qe i gjatë pasi i njëjti pas 12 minutash e fshiu statusin e tij në Facebook.

Ai në këtë postim, në mënyrë indirekte e quajti kryeministrin Kurti mashtrues, duke e lidhur këtë epitet me statusin e veteranit të luftës çlirimtare të Kosovës.

Deputeti opozitar tha se shoqata e veteranëve është përgjegjëse për lëshimin e certifikatave “për lëshimin e certifikatave ndaj veteranëve mashtrues”.

Berisha tha se këtë ata e përdorën për të mashtruar mikun e armës shqiptare, senatorin Zach Nunn.

“Drejtuesi i luftës së UÇK-së nuk ishte 22-vjeçari që po i buzëqesh mashtrimit por nga dy krahët e luftës ishin: Hashim Thaçi UÇK dhe Ahmeti Krasniqi – ministria e Mbrojtjes së Kosovës”, thuhej në shkrimin e Berishës, e që më pas u fshi nga profili i tij në “Facebook”.