Dembele, çelësi i kthimit të Neymarit në Barcelonë

Nuk është sekret që Neymari është në treg këtë verë dhe Paris Saint-Germaini e ka bërë të qartë që braziliani është i qasshëm për këdo që mund ta paguajë çmimin e tij. Barcelona mund ta përballojë këtë transferim falë Bayern Munichut dhe Ousmane Dembeles.

Topi është në fushën e Barcelonës, por ky transferim nuk është aspak i lehtë në aspektin financiar për shkak se Paris Saint-Germaini i kishte shpenzuar 222 milionë euro për Neymarin vetëm para dy vjetëve.

Ditët e fundit është raportuar për shumë oferta, ku janë përfshirë edhe futbollistët si Philippe Coutinho, Dembele, Ivan Rakitic dhe Samuel Umtiti. Barcelona synon t’i përdorë këta futbollistë për të mos u detyruar të paguajë shuma të mëdha parash për brazilianin.

Në të vërtetë, Marca raporton se Barcelona nuk e ka bërë asnjë ofertë zyrtare, por ata janë duke tentuar ta gjejnë një zgjidhje që mund të jetë tërheqëse për parisienët dhe duket se Dembele është çelës që mund ta zhbllokojë të gjithë këtë situatë. Këtu hyn në lojë Bayerni.

Mediat spanjolle fillimisht kishin raportuar se Dembele mund të përdoret në marrëveshje me PSG-në, si pjesë e shkëmbimit me Neymarin. Mirëpo, kjo nuk është e realizueshme, pasi që PSG-ja nuk është e interesuar për sulmuesin, i cili për më tepër s’ka marrëdhënie të mira me trajnerin Thomas Tuchel.

Por, Bayerni mund t’ia hapë derën francezit, pasi që kampioni gjerman ka nevojë për një anësor në skuadër. Përderisa Leroy Sane mbetet prioriteti i tyre, negociatat për gjermanin kanë ngecur dhe ai raportohet se do të qëndrojë në Manchester City.

Klubi bavarez është i vetëdijshëm se Dembele është njëri ndër lojtarët që mund ta transferojnë, por asgjë nuk ka ndodhur ende dhe katalonasit e kanë deklaruar Dembelen të paprekshëm.

Këtë vendim Barcelona e mori në një takim me menaxherin e lojtarit në fillim të kësaj vere, mirëpo rrethanat kanë ndryshuar dhe, në tentim për ta sjellë Neymarin në Camp Nou, katalonasit janë të gatshëm ta shesin Dembelen.

Nëse Bayerni bën ofertë me shumë të lartë parash për anësorin e talentuar francez, atëherë Barcelona do të ketë mundësi ta përballojë financiarisht transferimin e Neymarit për shumën e kërkuar nga PSG-ja.

loading…