Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është marrë në pyetje nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në lidhje me ndalimin e pretenduar të tij në vitin 1998 në fshatin Qirez të Skenderajt.
Dedaj ka deklaruar se deri në Qirez ka shkuar pa marrë leje nga përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shtuar se këtë e ka bërë pasi ishin deputetë.
Sipas Dedajt, ka qenë e logjikshme që UÇK-ja ta ndalonte këtë delegacion pasi shtoi se “kanë shkuar si në dasmë”.
“Çdo ushtri në botë do të bënte të njëjtën gjë…Logjika na tregon se kanë pasur arsye të na ndalojnë dhe të shohin se kush ishim ne. Një delegacion që ka shkuar me vetura si në dasmë, me kravata, do të duhej të ndalohej”, ka shtuar ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Luka Misetiq.
Ish-ambasadori është shprehur tutje se situata në Qirez ishte e rëndë.
“Unë s’kam biseduar me forcat serbe, ato na kanë kërcënuar, fyer, na e kanë hapur bagazhin…Kam pasur një grumbull letrash që u kam dërguar institucioneve ndërkombëtare për marshin tonë, për t’i bindur ata që të na lejojnë të lëvizim tutje. Sa herë më kanë nxjerr nga vetura si përfaqësues i delegacionit, ka dalë edhe zonja e nderuar Nekibe Kelmendi…Unë s’e kemi njoftuar askënd nga UÇK-ja sepse ne ishim deputetë, në atë zonë ku kemi shkuar s’ka pasur mundësi të mbaheshin zgjedhjet në 98-n…S’kemi kërkuar leje për t’i vizituar zonat e popullatës civile”, ka thënë ai.







