Gjergj Dedaj

Dedaj: Jam distancuar nga deklarimet e kaluara

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po vijon me dhënien e dëshmisë para Dhomave të Specializuara të martën.

Ai po iu përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, derisa gjatë dëshmisë ka thënë se kërkuar që seanca të jetë e mbyllur “që të mos rrezikohet familja”.

“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, në pyetjet që po mi bëni… Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët e tij. Kam kërkuar seancat të jenë të mbyllura që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”, ka thënë Dedaj, derisa Prokuroria i ka bërë thirrje t’u mos flasë jashtë temës.

Seanca më pas ka kaluar e mbyllur.

Gjatë dëshmisë, Dedaj ka përsëritur se gjatë qëndrimit në Baicë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu kishte dërguar birra dhe ushqime.

“Ne kemi ngrënë atë që kanë ngrënë ushtarët e UÇK-së, ushqimi s’ka pasur asnjë vërejtje. Kur kemi kërkuar birra si në hotel na kanë sjell birra në Baicë…Po më pyesni për detaje 25 vjet më parë, 25 vjetët e mia janë sa 2500 vjet tuajat në Evropë”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se me Hashim Thaçin është përshëndetur dhe s’ka pasur asnjë problem me të.

“Me Hashim Thaçin jemi përshëndetur me dorë si burrat dhe të tjerat s’më kujtohen….Kam bërë deklarime në gjendjen time të rënduar, në procese të rivarrimeve, e ndoshta kam pasur edhe hidhërime të pabesueshme. Ndoshta edhe revanshuese dhe ekzagjeruese. Nga të gjitha këto jam distancuar”, ka thën Dedaj.