Kosova

Deda: Të gjithë në Kosovë janë kundër idesë fashiste të prekjes së kufijve, përveç Hashim Thaçit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se është i lumtur që ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ka marrë kundërshtimin e shumicës në Republikën e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Këto deklarime Deda i ka bërë gjatë një intervistë për EWB, derisa po merrte pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd.

“Jam shumë i lumtur të them se propozimi për shkëmbim të territoreve është kundërshtuar plotësisht nga shumica dërmuese në Kosovë. 80 për qind e qytetarëve janë kundër saj. Këtu përfshihen të gjitha minoritetet dhe grupet politike në parlament. Gjithashtu edhe ata që janë në Qeveri janë kundër një ideje të tillë”, ka thënë Deda

Ai ka thënë se deri tani i vetmi njeri i cili nuk e ka kuptuar ende se një ide e tillë nuk mund të implementohet është presidenti Thaçi.

“Shpresoj që ai ta kuptojë se shpejti. Kjo aventurë e cila mund të sjellë shumë dëme në gjithë rajonin nuk mund të jetë bazë për asnjë zgjidhje të qëndrueshme, jo për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ndër të tjera Deda.

Deputeti Ilir Deda ka thënë se Thaçi ka thënë se një ide e tillë nuk mund të marrë mbështetjen e mjaftueshme të Kosovës për t’u implementuar.

“Jo. Presidenti Thaçi ka nënvlerësuar popullin e Kosovës. Ai mendoi se do të propozonte një zgjidhje fitimprurëse, e cila në thelb është një ide fashiste, duke kufizuar kufijtë ndërmjet njerëzve në bazë të përkatësisë etnike të tyre”, ka shtuar tutje ai.

Deda ka thënë se nuk duhet harruar se njëri prej shkaqeve të kapitullimit të Jugosllavisë ishte kërkesa për ndarje në linja etnike.

Deda ka thënë se një zgjidhje e modelit franko-gjerman mund të ishte një zgjidhje shumë më e mirë për të dy vendet, kur është pyetur se cila ide mendon se do të ishte e duhura për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.

Kundër kësaj ideje të Thaçit ka dalë edhe top-diplomatja gjermane, Sabine Stöhr.

Ajo ka deklaruar dje se Gjermania mbetet e pa lëkundur në qëndrimin e saj kundër korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.