ish-deputeti

Deda: Qeveria e re të ftojë Surroin që të ndihmojë në dialog

Sipas ish-deputetit Ilir Deda, qeveria e re në Kosovë duhet të ftojë njerëz me përvojë për të ndihmuar në procese të rëndësishme që e presin vendin.

Këtu ka përmendur publicistin Veton Surroi për të cilin ka thënë se VV e LDK duhet ta kërkojnë që ai t’u ndihmojë në dialogun me Serbinë.

“Prej vitit 2011 isha ithtar që marrëveshja finale me Serbinë të arrihet sa më shpejtë që është e mundshme. Kosova ishte peng i bashkëprocesit të tillë. Demokracia ishte peng. Kemi pas papërgjegjësi qeverisëse për shkak të dialogut. Tash është koha për qeverisje të përgjegjshme që duhet të përfundojë dialogun, në bazë të parimeve të qarta. Janë dy-tri parime që mund të arrijnë edhe konsensusin shoqëror. Tash është mundësia sepse e ke gjakun e freskët në qeverisje, jo njerëzit që kanë hipoteka e gjëra të tilla. Duhet të jenë afirmativë edhe Albini edhe Vjosa, proaktivë në komunikim me ambasadorin Grenell e shtetet tjera perëndimore që të tregojnë qartë kërkesat e Kosovës e pa çka Kosova s’e sheh një marrëveshje finale me Serbinë”, ka thënë ai.

“U duhen njerëz me përvojë. Së pari mendoj, po përmend edhe emra, ta marrë Veton Surroin, për të ndihmuar qeverisjen për këtë proces të ndërlikuar. Ta lusin që t’u ndihmojë. Duhet ta marrin pa qare për të treguar ndryshim. Kur je udhëheqës i mirë u jep njerëzve me përvojë detyra për ato që ti s’ke përvojë. Këtë e pres nga të dy partitë, sepse e dinë cilat janë mangësitë e tyre. Vjosa e ka thënë publikisht që do të bënte ekip më të gjerë ku ka përmendur Vetonin e të tjerë, për të ndihmuar shtetin për të ecur përpara”, ka shtuar Deda në Rubikon.

loading…