Debat mes Selmanajt dhe Halitit për kontributin e Shqipërisë për Kosovën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partia e tij ka tërhequr një paralele në mes të qytetarëve të Luginës së Preshevës tani kur po diskutohet për korrigjimin e kufijve dhe kosovarëve në vitet e ’90-ta.

Selmanaj ka thënë se kosovarët në takimin e Kretës e kishin kuptuar se nuk ishin asgjë më shumë se një komunitet.

“Ka shumë qytetarë të Luginës së Preshevës që jetojnë në Fushë-Kosovë e nuk kanë dokumente identifikimi. E tash në moment i kujtohet dikujt që duhet me u marrë me ta. Kjo më kthen në vitet e 90-ta kur ne gëzoheshim ose pritnim nga ndonjë zyrtar në Tiranë të flasë për Kosovën dhe ne gëzoheshim por dikur në takimin e Kretës e kuptuam që për ta kishim qenë komunitet, jo më tepër”, ka deklaruar Selmanaj.

Pas përfundimit të fjalës nga Selamanaj, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti iu drejtua atij duke i thënë se nëse ai do ta dinte se çka ka bërë Shqipëria në të kaluarën për Kosovën nuk do të fliste për të.

“Faleminderit edhe për historinë që na bone por nuk është mirë me u futë në disa gjëra që nuk i dimë ne, as Kretën, se ka asi që kanë shku në Beograd te Millosheviqi. Në konferenca ndërkombëtare njerëzit takohen, veçanërisht udhëheqësit kështu që mos e përziej Shqipërinë se me ditë çka ka ba Shqipëria për Kosovën nuk e përmend në këtë aspekt, nuk është mirë”, ka përfunduar Haliti.