Talenti i Ajaxit

De Jong nuk e ka vendosur ende të ardhmen e tij

I lidhur me një transferim te Paris Saint Germain, Bayerni dhe Barcelona, mesfushori i Ajaxit, Frenkie De Jong nuk e ka ende vendosur të ardhmen e tij.

De Jong i ndihmoi Ajaxit në barazimin e çmendur mbrëmë ndaj Bayernit me rezultat 3-3, me bavarezët që janë në mesin e skuadrave të interesuara për shërbimet e holandezit.

Sidoqoftë, reprezentuesi i Holandës që ka kontratë me Ajaxin deri në vitin 2022, tregoi se nuk ka vendosur ende rreth të ardhmes së tij, gjersa e konsideroi si të çmendur ballafaqimin me Bayernin.

“Definitivisht nuk e kam marrë ende një vendim për të ardhmen time. Në pjesën e parë kundër Bayernit nuk ishim mjaftueshëm të mirë. Në pjesën e dytë kishim një tjetër plan të lojës dhe luajtëm shumë më mirë. Menduam se mund të fitojmë por pastaj mbetëm me 10 lojtarë. Ata sulmuan më shumë derisa u përjashtua edhe një lojtar i tyre. Ishte ndeshje e çmendur deri në vërshëllimën e fundit”, tha De Jong.

Ajaxi u kualifikua në mesin e 16 skuadrave më të mira të Champions Leagues, teksa përfundoi në vendin e dytë në grupin E.