De Biasi refuzon ofertën e Veronës

Gianni De Biasi është ëndrra e presidentit Maurizio Setti për stolin e Veronas.

Megjithatë, ish trajneri i Shqipërisë nuk duket i gatshëm të stërvitë në Serie B. Kështu bën me dije sot “Calciomercato.com”. Sytë e 61-vjeçarit nga Sarmede janë më lart, në elitën e futbollit italian, ku i është lakuar emri disa herë.

Ai shquhet për guximin që ka në marrjen e drejtimit të skuadrave në vështirësi e të vogla dhe për t’i ngjitur sa më lart, por si duket eksperienca më e fundit në Spanjë, me Alaves, e ka bërë të mendohet mirë para se të vendosë. Duke parë se Hellas Verona është në një udhëkryq në Serie B, pa fituar dot në 5 ndeshjet e fundit, De Biasi ka refuzuar këtë ofertë.

Objektivi i padiskutueshëm i presidentit Setti është rikthimi në Serie A, por me ecurinë e deritanishme, të tijtë rrezikojnë seriozisht të mbeten aty ku janë. Aktualisht, skuadra veroneze ndodhet në vendin e 7-të të Serie B, në kuotën e 33 pikëve në 22 javë kampionat, 9 pikë larg kreut, që mbahet nga Brescia.