Daut Haradinaj uron Arben Vitinë e Përparim Ramën për rezultatin

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka uruar kundërkandidatët e tij, Arben Vitinë e Përparim Ramën, për rezultatin në zgjedhjet e 17 tetorit

Haradinaj ka falënderuar përkrahësit e tij në këto zgjedhje.

“Rezultati më i mirë për mua ishte bashkërrugëtimi im me ju. Unë jam krenar me ju dhe punën që e kemi bërë si ekip. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që na mbështetën në këtë bashkërrugëtim. Urime dy kandidatëve pretendues për Kryetar të kryeqytetit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, Haradinaj është renditur i katërti në garën për kryetar të Prishtinës.

Ai ka arritur t’i sigurojë 3 mijë e 850 vota, apo 4.62%.

I pari në Prishtinë është renditur Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje, me 35 mijë e 243 vota, apo 42.26%.

Vitia do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve, me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, i cili ka arritur të sigurojë vendin e dytë me 24 mijë e 474 vota, apo 29.34%.

Raundi i dytë i zgjedhjeve pritet të mbahet më 14 nëntor.