Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, me numër 50 në listën zgjedhore, ka takuar të rinj në Ferizaj, ku ka theksuar rëndësinë e rolit të tyre në zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.
Gjatë këtij takimi, Haradinaj ka vlerësuar se të rinjtë përbëjnë kapitalin më të madh të Kosovës dhe se institucionet duhet të krijojnë më shumë mundësi për arsimim, zhvillim profesional dhe punësim, në mënyrë që ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje.
“Të rinjtë e Kosovës janë kapitali më i madh i këtij vendi. Ne duhet t’u krijojmë kushtet dhe hapësirën që të zhvillohen këtu, të ndjekin ëndrrat e tyre këtu dhe ta fuqizojnë atdheun e tyre”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se energjia, vizioni dhe angazhimi i të rinjve të Ferizajt janë dëshmi se Kosova ka potencial të madh për zhvillim dhe progres.
“Sonte, mes të rinjve të Ferizajt, e kuptoj se ky vend ka shpresë dhe të ardhme. Sepse këta të rinj kanë një vizion, vizionin e Aleancës. E tashmja dhe e ardhmja ju përkasin juve”, është shprehur kandidati i AAK-së.
Haradinaj ka bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje aktive në proceset demokratike, duke theksuar se fuqizimi i rinisë mbetet një nga prioritetet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.







