Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka vlerësuar lart punën dhe zhvillimin e Komunës së Suharekës, duke e cilësuar atë si një tregim suksesi të jashtëzakonshëm në nivel vendi.

Në një postim publik, Haradinaj ka theksuar se suksesi i Suharekës dhe i kryetarit Bali Muharremaj është dëshmi e qartë se çfarë mund të arrihet kur ka vizion, punë dhe përkushtim. Sipas tij, rezultatet e bashkëpunimit mes komunës dhe qytetarëve janë për t’u lakmuar nga çdo komunë e Kosovës.

“AAK në Suharekë, me punën dhe përkushtimin e saj dhe kandidatët e kësaj ane, do të përfaqësohet në Kuvend si kurrë më parë”, ka deklaruar Haradinaj, duke shprehur bindjen se angazhimi i deritanishëm do të përkthehet në përfaqësim më të fuqishëm politik.

Ai ka vënë theks të veçantë edhe te roli i rinisë, duke e cilësuar atë si motorin kryesor të energjisë pozitive dhe aktivizmit politik në Suharekë. Sipas Haradinajt, rinia e AAK-së në këtë qytet po përçon vendosmëri dhe angazhim të jashtëzakonshëm.

“Krenar me ju të gjithë, duke ju parë ju, jam i bindur se Kosovën e pret një e ardhme e ndritur, e ndërtuar mbi punë, shpresë dhe dashuri për vendin”, ka përfunduar ai.

Daut Haradinaj është kandidat për deputet me numrin 50 në listën zgjedhore të AAK-së.