Daut Haradinaj dhe Dardan Molliqaj bëhen bashkë

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicion në mes të PSD-së së Shpend Ahmetit dhe AAK-së së Ramush Haradinajt.

Këto dy parti kanë vendosur të hyjnë bashkë në zgjedhje. Bartës të listës kanë vendosur ta kenë Haradinajn, pasi Ahmeti i ka edhe dy vjet mandat në udhëheqjën e kryeqytetit.

Dhe pas koalicionit, tashmë edhe janë bërë afrimet e para të këtyre dy subjekteve.

Hapin e parë e ka marrë deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj i cili e ka postuar një fotografi me deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Foto rasti”, është mbishkrimi i vetëm që Haradinaj ia ka bashkangjitur fotografisë, shkruan Ballkani.info.

Ndërkaq në konferencën e përbashkët të kreut të PSD-së dhe atij të AAK-së ata u pyetën edhe për postin e kryeministrit.

Ahmeti tha se partia e tij nuk ka pasur pretendime për ta marrë postin e të parit të qeverisë, pasi atij i kanë mbetur edhe dy vjet mandat udhëheqje në Prishtinë.

“Unë jam kryetar kryeqyteti dhe i kam edhe dy vjet mandat, prandaj nuk ka pasur pretendime nga PSD’ja që të marrim në këtë listë të përbashkët zgjedhore postin e Kryeministrit”, tha Ahmeti.

Në konferencën e sotme Ahmeti ka thënë se ky koalicion po formohet për t’i fituar zgjedhjet dhe se të dy partitë pothuajse në mënyrë unanime janë pajtuar për të lidhur koalicionin.

Ne po i bashkojmë forcat me AAK-në që t’i fitojmë zgjedhjet me një program të përbashkët qeverisës. Kemi vendosë disa kërkesa për mospajtimet ose qëndrimet e ndryshme. Në të dyja këshillat drejtues të partive tona s’ka pasë pothuajse fare zëra kundër“, tha Ahmeti.

Ahmeti, po ashtu, theksoi se këto dy parti janë dakorduar që bartës i listës në zgjedhje të jetë i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Jemi dakorduar që ne të garojmë me një listë dhe bartës i kësaj liste do të jetë kandidati i Aleancës, z. Haradinaj. PSD me AAK do të kontaktojnë me subjektet tjera që i ka përmend edhe AAK-ja edhe PSD-ja, në mënyrë që ta zgjerojmë koalicionin fitues. Nevojitet një koalicion serioz, ne sot e kemi ndërtu boshtin e këtij koalicioni fitues. Me 29 shtator ose 6 tetor, ne jemi të gatshëm për të sfiduar”, tha Ahmeti.

Ndërkaq në zgjedhjet e vitit 2017, Ahmeti ishte kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, por ai pati vendosur të japë dorëheqje nga posti i deputetit që të vazhdojë të jetë në krye të Prishtinës. /Ballkani.info/