‘Dashuri e mbrojtur’: QKMF që menaxhohet nga Agim Bahtiri blen 15 mijë euro vetëm kondoma

QKMF që është nën menaxhimin e Komunës që udhëhiqet nga kryetari që vjen nga VV-ja, Agim Bahtiri, ka paguar kohët e fundit një faturë mjaft të madhe, me vlerë mbi 130 mijë euro.

Në dokumentin që ka siguruar “Jepi zë”, produktet shihet se kushtojnë mjaft shtrenjtë, madje me çmimin që mund të blihen edhe në barnatore e jo siç zakonsisht ndodhë, të blihet me çmime më të ulëta kur bëhet fjalë për sasi kaq të madhe.

Ndër produktet e shtrenjta janë kondomat. QKMF që është nën menaxhim dhe buxhet të Drejtorisë së Shëndetësisë, ka paguar 15 mijë euro për 30 mijë kondoma, që i bie 50 cent për copë, që po konsiderohet çmim i lartë.

Një zyrtar i besueshëm i Komunës i ka thënë “Jepi zë” në kushte anonimiteti se çmimet janë të larta. Sipas tij, shumica e ilaçeve të blera kanë çmim të lartë dhe ka raste që edhe në barnatore gjenden më të lira.

Duhet theksuar se pagesa për kondoma është një prej më të lartave në faturën prej 130 mijë eurove.

E dokumenti që është siguruar nga “Jepi zë” por që nuk publikohet për të ruajtur konfidencialitetin, është nënshkruar më datë 26 prill të këtij viti.

Sidoqoftë, vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Komuna blenë produkte me çmime të larta. Mediat kishin raportuar në fillim të pandemisë se edhe maskat u blenë me çmim të lartë.