DASH

DASH: Diskutimet për dinarin të vazhdojnë me urgjencë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka mirëpritur diskutimet që janë mbajtur në Bruksel për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës. DASH-i ka bërë thirrje që diskutimet të vazhdojnë me urgjencë.

“Këto janë bisedime që i mirëpresim, që po mbahen sot në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë zëvendës-zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel në konferencë për media.

Patel ka thënë se SHBA-ja ka qenë e qartë duke shprehur shqetësimet e saja për rregulloren e re të BQK-së.

Po ashtu Patel ka thënë se kanë përsëritur thirrjet vazhdimisht për Kosovën e Serbinë që të shtensionojnë situatën.

Të martën është mbajtur takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për çështjen e “dinarit”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit ka thënë se Kosova dhe Serbia deri të premten duhet të dërgojnë propozime për çështjen e dinarit, ndërsa takimi i radhës do të mbahet të hënën.

E kryenegociatori i Sebrisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pala serbe të martën ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.