Dalin detaje të reja nga vrasja në Ferizaj: Prokuroria deklarohet për ngjarjen e rëndë ku dyshohet se djali vrau nënën

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njoftoi se sot, në Ferizaj, një person dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në mëngjes, ku i dyshuari B. Ç., rreth 62 vjeç, dyshohet se në shtëpinë e tij në rrugën ‘Ejup Statovci’, në Ferizaj, ka privuar nga jeta nënën e tij, tani të ndjerën M. Ç, rreth moshës 83-vjeçare”, thuhet në komunikatën.

Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I dyshuari B. Ç, me vendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.