Çun Lajçi shkon prapë në spital

Aktori Çun Lajçi tregon se ishte në kontroll në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, 22 ditë pasi u lirua pas trajtimit që kishte lidhur me infektimin me COVID-19.

Ai thotë se ishte për të bërë një CT të zemrës dhe takoi infermieret e mjekët që u kujdesën për të gjatë kohës kur ishte i shtrirë në spital.

Aktori tregon se takoi edhe stafin shtesë që ishte angazhuar nga ministria gjatë fillimit të pandemisë, e që tani nuk iu vazhduan kontratat.

Postimi i tij:

“E kceva prronin, t’kjafsha kalin

Për kalin po iu shkruej,(se kal mund tjem vet e s’keni çka me thanë), biles edhe për çadrën e gjakovarit, që ka kcye n’prrua, veç mos me i thanë dy herë faleminderit, atij që ia ka dhanë mos me lagë shiu!

Për shamjet jo se jo, se t’shamet i keni ba si bismilahun e hoxhës. As për liderët e partive! Rujna Zot! Ata i keni të “derguemit e perendisë” e ma leht iu vjen m’ua ngucë gratë juve, se me ngucë gjarpnin n’xhepin e tyne!

Për kalin po, (kalin si unë), se jeni mësua me i hipë sa herë t’rritën përrojet, e kur t’rrezitë dielli, me çua ne t’samës kalin e t’zotin e tij!

Dje shkova n’spital mbas 27 ditëve. Jo n’pulmologji të dr.Vllaznim Luzha, as të Bahri Thaqi, edhe pse mushknitë hala i kam t’bllokueme, po n’okologji me ba nji CT t’zemrës.

Aorta m’asht zgjanua, e kardiologu m’tha, du me pa CT-në.

Por s’po ankohem jo, mos keni frikë ju që “m’doni shumë”, s’po shkruej për vetën, se s’po dua me iu dhanë shkas me çelë gojën: Që ky që ankohet si filan filani! Jo, se nuk jam melaqe si ju as i pavdekshëm që e han dynjenë!

Unë kam me jetua aq sa e ka shkrua Ai, që ua then qafën Juve, që vllaut i thoni herë malazez, herë serb e herë maqedon! Siç po i thoni këtij kopilit që s’po iu kallxon a don a s’don me pranua Asociacionin, e po iu dredhë si thuprat e shelgut, juve, që po keni qejf ma shumë se Vuçiqi, me votua n’Parlament, si demarkacionin në nji natë me tym!

Sot, zemra ime ishte sebepi që t’i takoj infermieret, që me banë hyzmet 22 ditë n’dhomën B/1.

Ato, t’cilat natën e ditën, m’i ndrruen kanillat n’duer, mi vunë gypat e oksigjenit, mi dhanë fraksiparinat, tue luftua D-Dimerin!

Ato që fluturojshin koridoreve sa në nji dhomë sa në nji tjetër. Bajshin kujdestari pa pagesë, vetëm e vetëm që t’ishin pranë baballarëve e nanave të prekuna nga virusi, pa çka se mund të infektoheshin edhe vet!

I takova motrat e reja, e djemtë e ri, të cilët qeveria i shfrytëzoi kur ishte n’fluksin ma t’madh t’pandemisë, kur s’kishte shtretën t’lirë, kur të prekunit nga Corona po shtoheshin çdo orë!

Aq sa u gëzova, aq herë u pikëllova kur i pashë n’protestë.

Ishin të deprimuem, të dëshpëruem e pa pikë shpresë!

Ministria e shëndetësisë nuk po ua vazhdonte kontratat 400 punëtorve shendetësorë.

Iku pandemia, ikni edhe ju, diçka si kështu u kishte thanë ky Vitia, që ia ka vjedhë mbiemnin Vitisë!

E kceva prronin, merrnje kalin!

Dje isha të spitalet mbas 22 ditëve. Mjerim e pata lanë e mjerim e gjeta! E harrova aortën e zemrën!

Kur hyna n’taxi thashë: Si s’iu vjen gjynah prej brezit t’ri? Si i leni rrugëve shpresat e reja, kuadrin e ri shëndetsorë.

A s’mendoni se mund t’vjen nji tjetër pandemi?

M’falni, ju mund t’thoni se ky qenka nostalgjik për komunizmin, por besoni se n’kohën e Fadil Hoxhës, shendetësia kështu s’do t’ishte!

Spital, 19.06.2021″.